Instituti Gjerman i Tregut të Punës dhe Profesionit, IAB ka hulumtuar se kush i vuan më së shumti pasojat e krizës së Coronës. Në studimin e paraqitur të hënën (22.02) së bashku me OECD, thuhet se Gjermania po shkon drejt një krize në vendet e shkollimit profesional. Sipas drejtorit, Bernd Fitzenberger tregu i punës në tërësi po tregohet hë për hë rezistent. Kjo lidhet me masat e marra, si mbështetja nga shteti e punës me orar të shkurtuar, gjë që i bën firmat t’i mbajnë punëmarrësit në punë, megjithë krizën. Por pasojat e turbulencave në tregun e punës po i ndjejnë më së shumë të rinjtë, kanë arritur në përfundimin studiuesit e IAB në Nuremberg.
Sipas Bernd Fitzenberger “tregu i shkollimit profesional është goditur rëndë. Sipërmarrjet po e reduktojnë numrin e vendeve të shkollimit profesional për vitin 2021”, shkruan dpa. Një e dhjeta e sipërmarrjeve do të kufizojë vendet e shkollimit profesional ose nuk do të ofrojë më asnjë vend për vitin 2021/2022.
Ngadalë edhe në statistikat e Agjencisë Federale të Punës po reflektohen efektet e pandemisë. Zyra Federale e Statistikave njofton për rënie të numrit të të punësuarve në sektorin e shërbimeve. Në fund të vitit 2020 numri i të punësuarve ka qenë 44,8 milionë vetë, 1,6 milionë vetë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Perspektiva të zymta – Shkollimi profesional në krizë
Për shkak të kësaj krize në shkollimin profesional të të rinjve, eksperti i IAB, Fitzenberger kërkon mbështetje nga shteti të sipërmarrjeve që ofrojnë vende të shkollimit profesional, në mënyrë që ato t’i ruajnë vendet e madje edhe t’i shtojnë. “Nuk duhet të krijohet një gjeneratë Corone në tregun e punës. Sepse papunësia në fillim të jetës së punës edhe vite më vonë ka efekt në rroga më të ulta dhe pason me papunësi më të shpeshtë”, thotë Fitzenberger
Kritike paraqitet situata edhe tek punët me paga minimale pa sigurime shoqërore e që nuk mbështeten nga fondi për pagën me orar të shkurtuar aktualisht, të cilat shpesh kryhen nga nxënës të klasave të larta apo studentët. Vetëm në nëntor humbën 100.000 vende pune në sektorin e hotelerisë për shkak të mbylljes. “Në tërësi kemi një gjysmë milionë ‘minijobs’ më pak se para një viti”, është shprehur kreu i Agjencisë Federale të Punës, Detlef Scheele.
Një brez para të ardhmes së pasigurtë
Për shkak të krizës së Coronës një gjeneratë e gjithë ndeshet me një të ardhme të pasigurtë. Jo vetëm ata që duan shkollim profesional, por edhe studentët që sapo mbarojnë studimet e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune, sepse sipërmarrjet hezitojnë të punësojnë. Prof. Dr. Heike Solga, eksperte e tregut të punës nga Qendra Shkencore për Studime Sociologjike në Berlin (WZB) paralajmëron për 3sat nga pasojat afatgjata të pandemisë tek rinia. “Ne fokusohemi momentalisht shumë në debat tek ata që duan të bëjnë shkollimin profesional apo të nisin studimet, por nuk duhet të harrojmë brezat pas shkollimit profesional e pas studimeve. Këtyre të rinjve në të ardhmen në konkurrencën e punës iu mungojnë përvojat profesionale dhe në të njëjtën kohë ne do të kemi më shumë persona me përvojë profesionale që do të kërkojnë punë. Konkurrenca do të bëhet më e pabarabartë se sa në kohët para Coronës.”
Pandemia ka shkaktuar frikë e pasiguri për të ardhmen sidomos tek brezi i 20 vjecarëve, këtë e konfirmojnë disa studime. Matthias Rohrer studiues në Institutin për Studimet e Kulturës së të Rinjve ka përgatitur një studim për këtë. “Ata kanë frikë, nëse diplomat e tyre të shkollës do të jenë me më pak vlerë, se ata janë gjenerata e home-schooling, që ka bërë maturë jo të zakonshme, kjo i bën që të kenë shqetësime për të ardhmen e tyre, sidomos në lidhje me punësimin, të rinjtë e dinë se papunësia po rritet, kjo ishte edhe para krizës një temë, pra që për të rinjtë është e vështirë të gjejnë vend në tregun e punës.
Sipas ekspertëve një e vërtetë e hidhur provohet edhe njëherë në kohën e Coronës. Kush ka pasur probleme me gjetjen e vendit të punës, edhe para krizës së pandemisë, e ka në kohë pandemie shumë më të vështirë. Sidomos migrantët e ata me kualifikim të ulët e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë apo një vend për kualifikim profesional, i cili të hap më vonë rrugën e punësimit./DW/
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...