“Brexit”, ish-diplomati britanik: Negociatat s’kanë nisur mirë për Britaninë

20:56 | 8 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Negociatat e Britanisë për shkëputjen nga Bashkimi Europian ende nuk kanë nisur siç duhet për shkak të “diferencave” brenda kabinetit qeveritar të Mbretërisë ishullore. Kështu shprehet ish-kreu i diplomacisë, Sir Simon Fraser, në detyrë deri në vitin 2015, i cili shton se pala britanike ka qenë disi “e tërhequr” nga negociatat formale në Bruksel.

Sir Simon, i cili vepron tashmë si këshilltar i bizneseve mbi çështjen “Brexit”, tha se është i shqetësuar që Britania e Madhe nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë përpara europianëve. Qeveria pritet të publikojë dokumentet mbi pozicionin e tyre për disa çështje, shumë shpejt.

Sipas ish-diplomatit, frika për përçarje brenda kabinetit po pengon qeverinë që të prezantojë një qëndrim të unifikuar. “Negociatat vetëm sa kanë filluar dhe nuk mendoj se kanë nisur në mënyrë veçanërisht premtuese për palën britanike”, tha ai.

“Ende nuk kemi shpalosur një pjesë të mirë të qëndrimit, pasi siç e dimë, ka ende dallime brenda kabinetit mbi llojin e ‘Brexit’-it me të cilin do të përballemi. E derisa këto dallime të mund të sheshohen, mendoj se është shumë e vështirë për ne që të kemi një pozicion të qartë e unik. Gjithashtu mendoj se nuk kemi ofruar mjaftueshëm në tryezën e diskutimeve, përveç statusit të shtetasve europianë e britanikë, ndaj dhe duket se jemi disi të munguar në negociatat formale”, shtoi ai.

Sir Simon bën thirrje ndaj qeverisë që të publikojë detaje të tjera mbi pikëpamjet e saj për çështje të ndryshme, përfshi këtu edhe menaxhimin e ardhshëm të doganave, si dhe kufirit me Irlandën e Veriut, në javët e ardhshme.

“Mendoj se duhet të tregojmë se jemi gati për t’u angazhuar në thelb, në mënyrë që njerëzit të mund të kuptojnë se çfarë është në lojë në këtë negociim dhe cilat janë opsionet që mund të zgjedhim”.

Muajin e kaluar, Sekretari britanik për “Brexit”-in, David Davis tha se ishte besimplotë se negociatat do të vijonin sipas planit, pas raportimeve se Brukseli mund t’i vonojë diskutimet mbi tregtinë për shkak të mungesës së progresit në zgjidhjen e “divorcit”.

Në fundjavë, “Sunday Telegraph” pretendoi se negociatorët britanikë janë të gatshëm të paguajnë deri në 36 miliardë paund ndaj Bashkimit Europian, për të zgjidhur përfundimisht të ashtuquajturën “faturë të divorcit”. Megjithatë, një burim qeveritar i tha agjencisë “Press Association” se një gjë e tillë nuk është rakorduar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme