Ka shenja në rritje se pasiguria lidhur me daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian po fillon të ndjehet tek investimet. Një sinjal i tillë ishte njoftimi i prodhuesit japonez të makinave, Nissan për largimin nga Britania.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra se sipas një sondazhi të kohëve të fundit, një e treta e bizneseve britanike mund të largohen jashtë vendit si rezultat i Brexit. Ndërkohë në media kanë rrjedhur edhe planet sekrete të qeverisë për rastet emergjente që prashikojnë evakuimin e mbretëreshës nga Pallati Buckingham në rast trazirash nëse Britania largohet nga BE pa ndonjë marrëveshje.
Për dekada me radhë, firmat japoneze e kanë përdorur Britaninë si portën drejt Evropës. Por vendimi i kompanisë Nissan për të zhvendosur në Japoni prodhimin e modelit të makinës X-Trail ka shkaktuar ankth. Ministri Britanik i Biznesit Greg Clark shpjegon:
“Shqetësohem sepse ata kanë vërejtur pasigurinë që lidhet me Brexit dhe mendoj se është sinjal serioz për të gjithë ne në parlament, se ka ardhur koha të zgjidhim këtë pasiguri.”
Ndërsa lidhjet e Britanisë dobësohen, Japonia dhe BE po festojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare që do të përfshijë një të tretën e prodhimit global bruto. Gjatë vizitës në Tokio të hënën Kancelarja Angela Merkel tha se një marrëveshje për Brexit-in ende ishte e mundur.
“Duhet ta dimë nga Britania, kjo është pika kritike, se cilat janë planet e tyre për të ardhmen.”
Me kalimin e ditëve rreziku po shtohet edhe më shumë për mos arritjen e një marrëveshje për Brexit-in. Planet për raste emergjente të qeverisë të rrjedhura në media sugjerojnë evakuimin e familjes mbretërore, nëse ka trazira.
Ndër skenarët më të rrezikshëm janë edhe trazirat në rrugë si rezultat i mungesës së ushqimit dhe ilaçeve, ndërsa kufizimet e eksportit të plehrave krijojnë male me mbeturina. Alberto Alemanno është profesor i drejtësisë në shkollën ndërkombëtare të biznesit HEC Paris.
“Duket që është një skenar shumë i komplikuar, që sjell ndërlikime për qytetarët, për bizneset në të dy anët e Kanalit të La Manshit. Por varianti tjetër është rishqyrtimi i marrëveshjes së tërheqjes…jo tërësisht, vetëm përshtatja e procesit që mund të çojë në miratimin e planit nga parlamenti.”
Kjo mund të mos mjaftojë. Britania po kërkon ndryshime në të ashtuquajturën ‘ndalesa irlandeze’, e cila kërkon të mbajtë Britaninë të lidhur me rregullat e BE deri në arritjen e një marrëveshje tregtare, që synon të menjanojë pengesat kufitare mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut, ku do të jetë kufiri i tokësor i Bashkimit Evropian me Britaninë. Profesori për politikat evropiane Anan Menon sqaron:
“Ata nuk do na ofrojnë ndihmë për mbajtjen në fuqi të rregullave ekzistuese të lëvizjes në kufirin irlandez për një kohë të kufizuar.”
Rihapja e marrëveshjes së largimit mund të bëjë që edhe vende të tjera të BE-së të kërkojnë ndryshime, kryesisht kërkesat e Spanjës për bisedime mbi sovranitetin e Gjiblartarit, thotë profesori Alberto Alemanno.
“Mund të kemi kërkesa nga disa shtete anëtare, dhe Spanja mund të jetë njëra prej tyre. Po ndryshon edhe faktori politik në Evropë, madje shumë shpejt, para zgjedhjeve të bllokut në muajin maj.”
Një kujtesë se ngërçi aktual është vetëm fillimi i rishikimit të marrëdhënieve të Britaninë me një Evropë në ndryshim, një proces që mund të marrë vite, ose ndoshta dekada.
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...