Me mijëra kamionistë dhe mbështetës të tyre vazhdojnë të bllokojnë rrugët pranë Sao Paulos dhe në zona të tjera të Brazilit, në kuadër të protestës mbarëkombëtare që ka gjunjëzuar ekonominë më të madhe të Amerikës së Jugut.
Prej 10 ditësh, kamionistët kanë shkaktuar kaos duke bllokuar lëvizjen dhe furnizimin e vendit me karburant, në formë proteste për rritjen e çmimit të naftës.
Bllokimi i pikave të karburantit ka dëmtuar ndjeshëm ekonominë, pasi fabrikat kanë ulur ritmin e punës, fermerët thuajse janë ndalur dhe çdo sektor tjetër po has probleme.
Siç ndodh zakonisht, greva e kamionistëve për çmimin e naftës u përshkallëzua në një protestë të gjerë edhe për tema të tjera, si shëndetësia, arsimi apo korrupsioni politik. Por, analistët thonë se elementi më shqetësues i protestës është se, mes flamujve brazilianë janë shfaqur parulla që kërkojnë ndërhyrjen e ushtrisë për të rrëzuar qeverinë civile.
Jo vetëm kaq, por shumë protestues kërkojnë kthimin e diktaturës së djathtë ushtarake, që drejtoi vendin për dy dekada të errëta deri në vitin 1985. Protestuesit thonë se ushtria duhet të vërshojë në kryeqytetin Brazilia dhe të pastrojë institucionet nga banditët që po vjedhin vendin.
Duket se zëri i tyre po bëhet kaq i fortë, sa që Shoqata e Kamionistëve nxitoi të distancohej nga thirrje të tilla dhe tha se lëvizja e saj ishte marrë peng nga njerëz që duan të rrëzojnë qeverinë.
Diktatura ushtarake është një temë e ndjeshme në Brazil, pasi gjatë atij regjimi u vranë dhe torturuan shumë njerëz. Por, në kuadër të korrupsionin galopant që vazhdon prej vitesh, e që ende nuk i duket fundi, janë gjithnjë e më shumë ata që kërkojnë ndërhyrjen e ushtrisë, si mënyrën e vetme për të shpëtuar Brazilin./tch/
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës