Bota pret fjalimin e Putinit në Ditën e Fitores

08:22 | 9 Maj 2022
arbresh.info

Rusia shënon sot Ditën e Fitores, apo atë që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste në vitin 1945.

Trupa, tanke, raketa pritet të shfaqen sot në Sheshin e Kuq të Moskës dhe në qytete të tjera të vendit.

Nën presidentin rus, Vladimir Putin, kjo ditë është shndërruar në një shfaqje të fuqisë së ushtrisë ruse, si dhe në rast për të kujtuar sakrificat e Luftës së Dytë Botërore.

Rreth 27 milionë qytetarë sovjetikë janë vrarë në atë që rusët e quajnë Luftë të Madhe Patriotike.

Kremlini tha se parada ushtarake do të zhvillohet sot në 28 qytete të Rusisë, ku do të marrin pjesë 65,000 njerëz, 2,400 pajisje ushtarake dhe më shumë se 400 avionë.

Megjithatë, këtë vit, ngjarja vjen nën hijen e luftës në Ukrainë. Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj më 24 shkurt, pasi Ukraina ka shfaqur hapur ambiciet e saj për anëtarësim në NATO.

Mijëra njerëz janë vrarë në luftë, ndërsa milionë të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.

Rusia i referohet pushtimit si “operacion i posaçëm ushtarak”, duke refuzuar ta quajë luftë.

Ka spekulime se Putin mund ta shfrytëzojë rastin e sotëm për të bërë një njoftim të madh në lidhje me pushtimin.

Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se ai mund të shpallë luftë të shkallës së plotë në Ukrainë, por Kremlini e ka mohuar një gjë të tillë.

Në prag të kësaj dite, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia “ka harruar gjithçka që ka qenë e rëndësishme për fituesit e Luftës së Dytë Botërore”.

Ai tha se e gjithë bota e lirë mund ta shohë se Ukraina është “pala e së mirës në këtë luftë” dhe shtoi se Rusia “do të humbasë, sepse e keqja humbet gjithmonë”.

Udhëheqësit perëndimorë e shfrytëzuan gjithashtu Ditën e Fitores për të dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i cili vizitoi Ukrainën, tha se Putin “po shkon kundër vlerave, për të cilat aq shumë njerëz kanë luftuar dhe janë vrarë”.

Udhëheqësit e grupit të vendeve më të industrializuara, të njohur si G7, thanë se veprimet e Putinit sollën “turp për Rusinë dhe sakrificat historike të popullit të saj”./rel/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme