Google ADS

Bota bën thirrje për stabilitet dhe paqe pas rrëzimit të Assadit nga pushteti

08:26 | 9 Dhjetor 2024
E.G

Fuqitë botërore janë zotuar se do të punojnë për stabilitet në Siri dhe rajonin përreth, pasi rebelët e udhëhequr nga islamistët kanë rrëzuar të dielën liderin e kahmotshëm sirian, Bashar al-Assad.

Aleatja e Assadit, Moska, ka thënë se trupat ruse në Siri janë në alarm të madh, por që rebelët kanë “garantuar” sigurinë e bazave të saj ushtarake në këtë shtet.

Para raportimeve se Assadi dhe familja e tij gjenden në Moskë dhe u është miratuar azili, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Siria nuk duhet të lejohet të mbetet në duart e “grupit terrorist”.

Rusia ka qenë aleate e Sirisë që një kohë, duke ofruar ndihmë ushtarake dhe politike për regjimin e Assadit, sidomos pas luftës civile që pati nisur më 2011.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se do të angazhohet me të gjitha grupet siriane “për të krijuar një rrugë tranzicioni prej regjimit të Assadit, drejt një Sirie të pavarur dhe sovrane”.

“Assadi duhet të mbahet përgjegjës”, ka thënë ai, kur është pyetur se çfarë duhet të ndodhë me presidentin e rrëzuar.

Pekini ka thënë se është duke shikuar nga afër zhvillimet në Siri, dhe shpreson që Siria do t’i rikthehet stabilitetit, sa më shpejt që është e mundur.

Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se pret që marrëdhëniet “miqësore” me Sirinë, të vazhdojnë.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka thënë se vendi i tij, i cili i ka mbështetur lëvizjet e rebelëve në Siri, do të ndihmojë në “shërimin e plagëve të Sirisë, dhe do t’ia garantojë unitetin, integritetin dhe sigurinë”.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Siri, Geir Pedersen, e ka quajtur marrjen e vendit nga rebelët si “moment vendimtar”, pas gati 14 vjetësh luftë civile.

“Do të shohim përpara me kujdes për hapjen e kapitullit të ri – të paqes, pajtimit, dinjitetit dhe gjithëpërfshirës së të gjithë sirianëve”, ka thënë ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka mirëpritur rënien e “shtetit barabar” të Assadit në Siri.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se Berlini është i gatshëm të bëjë “kontributin e vet” për një zgjidhje politike, për të sjellë paqe në shtetin e shkatërruar nga lufta.

“Bashar Al-Assad i ka shtypur njerëzit e vet në mënyrë brutale, ai i ka pafundësisht njerëz në ndërgjegjen e vet”, ka thënë lideri gjerman.

Sirianët janë parë nëpër rrugë duke festuar rrëzimin e Assadit, kanë rrëzuar statuja dhe kanë plaçkitur ndërtesa qeveritare.

Kryeministri i Sirisë, Mohammad Ghazi al-Jalali, ka thënë përmes një video-incizimi se Qeveria e tij është e gatshme “të bashkëpunojë me çdo udhëheqësi të zgjedhur nga njerëzit”.

Ai është parë duke u larguar nga shtëpia e tij më 8 dhjetor, në shoqëri të burrave të armatosur, pas raportimeve se do të takojë udhëheqësinë e grupit rebel sunit, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e cila e ka udhëhequr ofensivën kundër regjimit të Assadit.

HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në vjetët e fundit, ky grup militant islamist, i ka prishur lidhjet me Al-Kaidën, dhe ka tentuar të prezantohet si alternativë pragmatike ndaj Qeverisë siriane.

Megjithatë, ka shqetësime për abuzime që ka kryer grupi, si dhe për lidhjet me grupe tjera terroriste./rel

Të ngjashme