Google ADS

Borell: Në Pragë po krijojmë një rend të ri pa Rusinë

12:02 | 6 Tetor 2022
K.B

Liderët e 44 vendeve evropiane, më 6 tetor, do të dërgojnë një sinjal të qartë nga Praga për izolimin e Rusisë dhe do të përpiqen të krijojnë një rend të ri pa të, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.

“Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend”, u tha Borell gazetarëve në Pragë.

“Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar… Nuk keni vend, të gjithë të tjerët janë këtu”, theksoi Borell.

Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Evropian, Petr Fiala paralajmëroi për samitin e parë të 44 krerëve të shteteve në Evropë – të gjithë përveç Rusisë dhe Bjellorusisë – si një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe synimet e mbrojtjes së mjedisit.

“Presidenca çeke e BE-së po përballet me sfida dhe kriza të mëdha nëpër të cilat po kalon Evropa dhe të cilat do të jenë temë e diskutimeve të para të komunitetit politik evropian, qoftë paqja dhe siguria, energjia, mjedisi, ekonomia”, tha nikoqiri i samitit, Fiala.

“Qëllimi nuk është që të arrihen konkluzione me shkrim, ndonjë përfundim me shkrim. Qëllimi është që të diskutohet dhe të krijohet një lloj marrëveshjeje kornizë lidhur me veprimet e mëtejshme të vendeve evropiane në ato fusha”, shtoi ai.

Republika Çeke, si mikpritëse e samitit, fillimisht ishte skeptike ndaj nismës së re politike të presidentit francez. Madje në Pragë e quajtën hapur si “kurthi i Macronit”, pasi këshilltari i kryeministrit çek Tomas Pojar, nga frika se vendet e BE-së që nuk janë të interesuara për anëtarë të rinj – përfshirë Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – mund të përdorin këtë format për të vonuar zgjerimin e BE-së.

“Vendet skeptike si Franca mund t’u ofrojnë vendeve kandidate Komunitetin Politik Evropian (KPE) dhe ta bëjnë atë një dhomë pritjeje të përjetshme për hyrje në BE-në”, tha eurodeputeti Aleksandar Vondra, ish-ministër i Mbrojtjes në qeveritë e Partisë Demokratike Qytetare.

Komunitetin Politik Evropian nuk do të jetë zëvendësues i procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit në BE, në radhë të parë të Ballkanit Perëndimor, është thënë edhe nga zyrtarët çekë në prag të samitit, për të cilët, pavarësisht nga ana e spektrit politik, zgjerimi për këtë rajon është një prioritet i vazhdueshëm i politikës së jashtme.

“KPE-ja nuk është gjë tjetër, përveç se që të mendojmë se si BE-ja, në këto kohë të vështira kur kemi një luftë në Ukrainë, mund të krijojë një bashkëpunim më të ngushtë me një sërë vendesh jashtë BE-së, qoftë Britania e Madhe, Norvegjia apo Zvicra. Natyrisht edhe Ukraina dhe Turqia, sepse Parlamenti Evropian po zhvillon një sërë debatesh rreth asaj se çfarë mund t’i ofrojë BE-ja Ukrainës dhe Turqisë”, tha eurodeputetja çeke Dita Haranzova. /rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme