Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën të martën në Pragë për një takim jozyrtar për të diskutuar për Rusinë dhe luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në sigurinë e shteteve anëtare të BE-së.
Në takimin në kryeqytetin çek morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të OKB-së, NATO-s dhe Parlamentit Evropian. Takimi pritet të trajtojë çështjen e rritjes së prodhimit të armëve, trajnimit të ukrainasve dhe mundësinë e ndalimit të vizave turistike për shtetasit rusë.
Në diskutimet që po mbahen në kryeqytetin çek, ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes të BE-së diskutuan mbi mënyrat për të rritur prodhimin e armëve, për të shtuar trajnimin ushtarak të forcave ukrainase ndërsa fundi i luftës në Ukrainë, që ka nisur në shkurt, nuk duket në horizont.
“Ne po i shterojmë rezervat tona,” të armëve u tha gazetarëve në Pragë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Ne po i ofrojmë Ukrainës aq shumë kapacitete ushtarake sa duhet të rimbushim rezervat tona. Ukraina ka nevojë për mbështetje. Por, ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën me më shumë iniciativa si misionet e trajnimin që do të diskutojnë ministrat”, tha zoti Borell.
Ministrat evropian do të diskutojnë se çfarë roli mund të luajë BE-ja në trajnimin e rekrutëve të rinj ukrainas në tokën evropiane, pasi numri i ushtarëve të vrarë po rritet ndërsa oficerët që normalisht mund të ofrojnë trajnime janë të angazhuar në betejë.
“Ne po trajnojmë ushtarë ukrainas në Britani dhe po punojmë me Gjermaninë për një trajnim të ri mbi çminimin. Ne mendojmë se ky është hapi i duhur për të ndërmarrë tani”, tha Kajsa Ollengren, ministrja holandeze e mbrojtjes.
Ministrat e jashtëm gjithashtu do të diskutojnë nëse do të vendosin kufizime të mëtejshme vizash ndaj rusëve, një përpjekje për të rritur presionin ndaj Presidentit Vladimir Putin, pasi lufta që ai filloi gjashtë muaj më parë ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike për gjithë botën.
Kremlini reagoi duke kritikuar thirrjet e disa udhëheqësve evropianë për ndalimin e vizave për turistët rusë, duke thënë se propozimet ishin “jorracionale” dhe manifestimi i fundit i agjendës anti-ruse të Perëndimit.
Megjithatë, agjencia e lajmeve “Reuters” raporton të ketë parë një memorandum ku dy vendet kryesore të BE-së, Franca dhe Gjermania janë shprehur kundër propozimeve për të kufizuar vizat për rusët.
“Ne e dimë se ka këndvështrime të ndryshme midis evropianëve për këtë çështje. Këto janë vendime shumë serioze që kanë në shënjestër veçanërisht qytetarët tanë. Natyrisht, vendime të tilla nuk mund të kalojnë pa përgjigje. Por në çdo rast, kur të përgjigjemi, do ta bëjmë në atë mënyrë që i përshtatet më së miri interesave tona dhe mbron interesat e qytetarëve tanë”, tha zoti Peskov.
Vendet anëtare lindore dhe nordike të BE-së janë ato që kanë argumentuar fuqishëm për një ndalim të plotë të vizave turistike për rusët, duke thënë se udhëtimi në Evropë është një privilegj, jo një e drejtë./tch/
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...