Rusia ka dërguar avionë bombardues me aftësi bërthamore, për të patrulluar kufijtë perëndimorë të Bjellorusisë, thanë më 18 dhjetor autoritetet në Minsk, teksa tensionet janë rritur në mbarë Evropën Lindore.
Dy bombardues të tipit Tu-22M3, të shoqëruar nga avionët luftarakë Su-30SM të forcave ajrore ruse dhe bjelloruse kryen patrullimet.
Ky ishte misioni i tretë i këtij lloji që është kryer në këtë zonë gjatë këtij muaji.
Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit janë rritur për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën. Në të njëjtën kohë, raportet e Bjellorusisë me Bashkimin Evropian janë përkeqësuar për shkak të krizës së migrantëve, teksa BE-ja thotë se Minsku e ka nxitur krizën me migrantë.
Zyrtarët në Kiev kanë shprehur frikën se Moska mund ta përdorë territorin e Bjellorusisë për të mbështetur një sulm mbi Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë paralajmëruar për “pasoja të mëdha” nëse Rusia e sulmon Ukrainën.
Megjithatë, Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha më 18 dhjetor për revistën Spectator se “ka pak gjasa” që shtetet anëtare të NATO-s të dërgojnë trupa për ta mbrojtur Ukrainën nga një sulm rus.
“(Ukraina) Nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe ka pak gjasa që dikush do të dërgojë trupa në Ukrainë për ta sfiduar Rusinë”, tha Wallace.
“Ne nuk duhet t’u themi njerëzve se do të bëjmë një gjë të tillë. Ukrainasit janë të vetëdijshëm për këtë fakt”, shtoi ai.
Wallace theksoi se Britania do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën për të ndërtuar kapacitetet e saj të mbrojtjes dhe sërish e paralajmëroi Moskën për “sanksione të ashpra ekonomike” – përfshirë edhe largimin e Moskës nga rrjeti për pagesa ndërkombëtare, SWIFT – nëse e sulmon Ukrainën.
Tensionet mes Moskës dhe Kievit kanë qenë të larta që prej se më 2014 Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nisi mbështetjen ushtarake, politike dhe ekonomike për separatistët që po luftojnë në lindje të Ukrainës.
Moska mohon se është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në konfliktin në lindje të Ukrainës, pavarësisht se ka prova të shumta që thonë të kundërtën.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...