Rusia të shtunën ka dërguar disa bombardues me aftësi bërthamore me rreze të gjata veprimi për patrullim mbi Bjellorusi, mes tensioneve në rritje me Ukrainën.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dy aeroplanët bombardues Tu-22M3 praktikuan ndërveprim me forcat ajrore bjelloruse dhe mbrojtjen ajrore gjatë një misioni katër orësh. Fluturimi ndoqi disa patrulla të ngjashme mbi Bjellorusinë, e cila kufizohet me Ukrainën në veri, transmeton portal arbresh.info
Misioni erdhi pasi Kremlini ka zhvendosur trupat nga Siberia dhe Lindja e Largët në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta gjithëpërfshirëse.
Përkundër tensioneve, Rusia ka mohuar çdo plan për të sulmuar Ukrainën, por i ka kërkuar SHBA-së dhe aleatëve të saj që të japin një premtim detyrues se nuk do ta pranojnë Ukrainën në NATO.
Perëndimi i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë rreth 100 mijë trupa nga zonat afër Ukrainës, por Kremlini është përgjigjur duke thënë se do të vendosë trupa kudo që të ketë nevojë në territorin rus.
Ndërsa tensionet mbi Ukrainën u rritën, ushtria ruse ka nisur një seri lojërash luftarake duke u përhapur nga Arktiku në Detin e Zi.
Dislokimi i trupave ruse në Bjellorusi ngriti shqetësimet në Perëndim se Moska mund të organizonte një sulm ndaj Ukrainës nga veriu. Kryeqyteti ukrainas i Kievit është vetëm 75 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë.
Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, i cili është mbështetur gjithnjë e më shumë në mbështetjen politike dhe financiare të Kremlinit mes sanksioneve perëndimore të shkaktuara nga shtypja e tij ndaj protestave të brendshme, ka bërë thirrje për lidhje më të ngushta mbrojtëse me Moskën dhe së fundmi ka ofruar të presë armët bërthamore ruse.
Në anën tjetër, gazeta gjermane “Bild”, ka publikuar një raport që pretendon se Rusia është e gatshme të sulmojë Ukrainën nga disa drejtime, por zëdhënsja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet.
Ndërsa frika e luftës u rrit, autoritetet ukrainase nisën një seri stërvitjesh të mbrojtjes civile për banorët.
“Unë jam këtu për të mësuar se si të mbrohem, të mbroj të afërmit e mi dhe gjithashtu të kuptoj se si të veproj në situatë,” tha banori i Kievit, Ilya Goncharov, pasi mori pjesë në stërvitjet në periferi të kryeqytetit ukrainas. “Jam i lumtur që erdha këtu për të mësuar bazat e vetëmbrojtjes dhe të ndihmës së pare”.
Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, vetëm 25 kilometra në jug të kufirit rus, mijëra njerëz dolën në rrugë të shtunën duke mbajtur pankarta gjigante verdhë-blu me ngjyrat e flamurit kombëtar në një shfaqje të vendosmërisë për të mbrojtur qytetin.
“Ne duam të tregojmë se ka njerëz në Kharkiv që janë të gatshëm ta mbrojnë atë dhe të luftojnë,” tha një nga marshueset.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka urdhëruar që 2 mijë trupa amerikane të vendosen në Poloni dhe Gjermani, dhe ka zhvendosur 1 mijë të tjerë nga Gjermania në Rumani, duke dhënë kështu një shenjë për përkushtimin e SHBA-së ndaj vendeve anëtare të NATO-s.
Në fillim të kësaj jave, presidenti rus Vladimir Putin sinjalizoi gatishmërinë e Moskës për më shumë bisedime me Uashingtonin dhe aleatët e tij në NATO. Si pjesë e diplomacisë së nivelit të lartë për të zbutur tensionet, presidenti francez Emmanuel Macron do të shkojë në Moskë dhe Kiev të hënën dhe të martën, ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz do të udhëtojë në Kiev dhe Moskë më 14-15 shkurt.
Në vitin 2014, Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës pasi udhëheqësi miqësor i Ukrainës me Moskën u largua nga vendi. Rusia gjithashtu hodhi peshën e saj pas një kryengritjeje separatiste në Ukrainën lindore, ku mbi 14,000 njerëz janë vrarë në luftime.
Mes tensioneve me Perëndimin, Putin po merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore dhe u takua me homologun e tij kinez, Xi Jinping, duke dhënë kështu një shenjë se të vendet kanë aleancë të fortë.
Putin dhe Xi njoftuan se marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit janë “superiore ndaj aleancave politike dhe ushtarake të epokës së Luftës së Ftohtë” dhe miqësia e tyre “nuk ka kufij”./AP/arbresh.info/
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...