Google ADS

Bolivi, zbulohen dy raste të reja të lisë së majmunit

00:06 | 6 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Ministria e Shëndetësisë së Bolivisë tha të enjten se janë zbuluar dy raste të reja të lisë së majmunëve, duke e rritur numrin e përgjithshëm të rasteve në tre dhe duke i shtyrë autoritetet të dyfishojnë përpjekjet për të kontrolluar përhapjen e virusit.

“Që nga e mërkura mbrëma, dy raste të reja të lisë së majmunëve u konfirmuan, kështu që deri më tani janë tre raste të konfirmuara,” tha Maria Renee Castro, zëvendësministre e promovimit, mbikëqyrjes epidemiologjike dhe mjekësisë tradicionale.

Rasti i parë i lisë së majmunëve në vend, që përfshin një pacient 38-vjeçar, u konfirmua të hënën në Santa Cruz. Pacienti po trajtohet nga mjekët specialistë dhe ndodhet në gjendje stabile.

Rastet e reja përfshijnë një brazilian 26-vjeçar dhe një bolivian 43-vjeçar, të cilët së fundmi kanë udhëtuar në Brazil.

Autoritetet po testojnë njerëzit me të cilët pacientët ranë në kontakt, tha Castro, duke shtuar se Bolivia ka kapacitetin për të diagnostikuar dhe kontrolluar në mënyrë adekuate sëmundjen për të parandaluar përhapjen e saj.

Pasi rastet e para të dyshuara u raportuan në fund të majit, qeveria mori masat e nevojshme për të monitoruar dhe kontrolluar linë e majmunëve dhe për të marrë reagentët e nevojshëm për ta zbuluar atë, tha Castro.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme