Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, do t’i vizitojë Izraelin dhe Jordaninë gjatë kësaj jave, teksa lufta e Izraelit në Rripin e Gazës dhe kritikat ndërkombëtare po intensifikohen.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi të mërkurën se Blinkeni do të niset prej Uashingtonit të enjten dhe do të jetë në Izrael dhe Jordani të premten, dhe se ndalesa të tjera në Lindjen e Mesme janë të mundshme për të.
Blinkeni e kishte vizituar Izraelin pak pas sulmit të Hamasit në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor. Ai udhëtoi tri herë në Izrael dhe në gjashtë vende arabe gjatë saj vizite.
Jordania njoftoi të mërkurën se e ka tërhequr ambasadorin e vet në Izrael dhe se nuk do ta lejojë ambasadorin e Izraelit në Jordani të kthehet në vend. Ajo tha se nuk do t’i ndryshojë këto vendime derisa të përfundojë konflikti në Gazë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se Blinkeni do ta nënvizojë përsëri mbështetjen e administratës Biden për të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, por, gjithashtu, do ta theksojë rëndësinë e minimizimit të viktimave civile dhe të garantimit se ndihmat humanitare arrijnë tek palestinezët e pafajshëm në Gazë.
Sigurimi i lirimit të qindra pengjeve që po mbahen nga grupi militant Hamas në Gazë, lehtësimi i kalimit të palestinezëve me pasaporta të huaja dhe të huajve nga Gaza në Egjipt, si dhe parandalimi i shpërthimit të një lufte më të gjerë rajonale, do të jenë çështje kyçe në agjendën e tij, tha Miller.
Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, i bënë thirrje të martën Kongresit amerikan t’u dërgojnë ndihma menjëherë Izraelit dhe Ukrainës, duke argumentuar se mbështetja e gjerë e ligjvënësve amerikanë për ndihmat do të dërgonte sinjal të fuqishëm për kundërshtarët në të gjithë botën.
Austin dhe Blinken dëshmuan më 31 gusht para Komisionit për Ndarje Buxhetore të Senatit, derisa Kongresi po e shqyrton kërkesën e presidentin amerikan, Joe Biden, për 105 miliardë dollarë ndihma emergjente për Ukrainën, Izraelin dhe sigurinë kufitare të SHBA-së.
Mbi 8.500 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, shumica gra dhe të mitur, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë të martën, pa bërë dallim në mesin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë. Kjo shifër nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të Hamasit. Militantët po ashtu kanë rrëmbyer afër 240 persona, sipas autoriteteve izraelite./rel
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...