Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me një sërë udhëheqësish të vendeve arabe në Lindjen e Mesme mes tensioneve rajonale në rritje për shkak të konfliktit Izrael-Hamas. Sot ai u takua me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe ndërsa më vonë pritet të zhvillojë bisedime në Arabinë Saudite me princin e kurorës, përpara se të niset për në Izrael. Ai pritet të zhvillojë takimet me zyrtarët izraelitë, të martën. Ndërkohë, siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, Izraeli e bëri të qartë të dielën, se asnjë palestinez nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza, por se lufta do të vazhdojë.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken po zhvillon takime me udhëheqës të nivelit të lartë të botës arabe, në kuadër të përpjekjeve të tij për të ulur tensionet në rajon dhe për të parandaluar përshkallëzimin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Konflikti filloi pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor, ku mbetën të vrarë 1, 200 persona dhe u morën peng 240 të tjerë.
Të dielën, pas takimit me homologun jordanez, Ayman Safadi, Sekretari Blinken vizitoi një depo të Programit Botëror të Ushqimit.
“Është jetike që ne të maksimizojmë ndihmën për njerëzit në nevojë. Jo vetëm që ndihma të arrijë në Gazë, por edhe që t’u shpërndahet në mënyrë efektive njerëzve që kanë nevojë për të, kudo në zonë. Ne do të punojmë për këtë edhe në ditët në vijim”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit.
Diplomati i lartë amerikan vizitoi gjithashtu Katarin dhe zhvilloi bisedime me kryeministrin Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Gjatë konferencës së tyre të përbashkët për shtypin, zoti Blinken hodhi poshtë deklaratat e fundit të disa anëtarëve të kabinetit izraelit që bënin thirrje për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza.
“Këto deklarata janë të papërgjegjshme. Janë deklarata që nxisin zemërim dhe vetëm sa e bëjnë më të vështirë një të ardhme që Gaza të udhëhiqet nga palestinezët, pa qenë nën kontollin e Hamasit, si edhe një të ardhme ku grupet terroriste nuk rrezikojnë më sigurinë e Izraelit”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit.
Dëbimi i palestinezëve nga Rripi i Gazës nuk është qëndrim zyrtar i shtetit hebre, sqaroi të dielën, presidenti izraelit Isaac Herzog, gjatë një interviste për programin “Meet the Press” në rrjetin amerikan NBC.
“Në një kabinet prej 30 ministrash, që nuk është kabineti i sigurisë, një ministër mund të thotë çfarë të dojë. Mund të mos më pëlqejë, por kjo është politika izraelite. Por unë po e them në mënyrë direkte, zyrtarisht dhe pa mëdyshje, ky nuk është qëndrimi i Izraelit”, tha ai.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, përsëriti gjatë një mbledhjeje të kabinetit se lufta nuk do të ndalojë derisa të përmbushen të gjitha objektivat e saj.
“Shkatërrimi i Hamasit, kthimi i të gjithë personave të marrë peng dhe zotimi se Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin”, tha ai.
Trysnia ndaj Izraelit për mbrojtjen e civilëve palestinezë sa vjen e shtohet. Sekretari Blinken tha se do e shtrojë sërish këtë çështje gjatë takimeve që do të mbajë me autoritetet izraelite./voa
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...