Blinken siguron Kongresin se fondet për Ukrainën do të zgjasin gjithë vitin

08:41 | 24 Mars 2023
Vjollca Gajraku

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka siguruar anëtarët e Kongresit se miliarda dollarët e destinuar dhe të miratuar për ndihmë ndaj Ukrainës janë të mjaftueshme dhe se do të duhej të zgjasin për pjesën më të madhe të vitit 2023.

Kongresi miratioi një projekligj në dhjetor të vitit të kaluar, që përfshinte 45 miliardë dollarë ndihmë urgjente për Ukrainën.

Blinken, duke dëshmuar më 23 mars para nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për ndarjet buxhetore, nuk tha saktësisht se kur administrata mund të kishte nevojë të kërkonte më shumë fonde, por tha se financimi i fundit “e mbulon pjesën më të madhe të këtij viti”.

Seanca dëgjimore u fokusua në kërkesën buxhetore të Departamentit të Shtetit për vitin fiskal 2024, e cila është 11 për qind më shumë krahasuar me vitin aktual fiskal.

Disa ligjvënës republikanë kanë vënë në dyshim sasinë e parave të dërguara në Kiev, duke pasur parasysh deficitet buxhetore dhe biseda për shkurtime në programet e brendshme të SHBA.

“Buxheti do të mbështesë sigurinë tonë, mbështetjen tonë ekonomike, energjetike dhe humanitare për Ukrainën, në mënyrë që të sigurohemi që lufta e presidentit [Vladimir] Putin të mbetet një dështim strategjik”, u tha Blinken anëtarëve të komitetit.

Blinken i tha gjithashtu nënkomitetit se ishin marrë masa për të siguruar që paratë e dërguara në Ukrainë të shpenzoheshin siç duhet.

“I kam 45 persona në ambasadën tonë në Ukrainë, puna e të cilëve është të mbikëqyrin shpenzimet e këtyre parave”, tha Blinken.

Ai gjithashtu adresoi shqetësimet se Shtetet e Bashkuara po mbajnë barrë të madhe.

Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 32 miliardë dollarë ndihmë për siguri për Ukrainën, ndërsa vendet e tjera kanë dhënë 22 miliardë dollarë, tha Blinken. Uashingtoni ka dhënë rreth 15.5 miliardë dollarë mbështetje ekonomike, ndërsa vendet e tjera kanë dërguar 24 miliardë dollarë, shtoi ai.

Ndarja e ndihmës humanitare është 2 miliardë dollarë të dërguar nga Uashingtoni dhe 3.5 miliardë dollarë të dërguar nga vendet e tjera.

“Ne kemi një shpërndarje reale të barrës kur bëhet fjalë për Ukrainën”, tha ai, duke vënë në dukje gjithashtu se vendet evropiane kanë pranuar rreth 8 milionë refugjatë.

Blinken, gjatë dëshmisë se tij hodhi poshtë perspektivat afatshkurtër për bisedimet për paqe mes Moskës dhe Kievit, duke thënë se Rusia nuk është serioze dhe se do të përdorë një armëpushim vetëm për të rifurnizuar dhe riarmatosur forcat e saj.

Megjithatë, ai pranoi se forcat ukrainase nuk do të jenë në gjendje të rifitojnë të gjithë territorin e tyre në fushëbetejë.

“Unë mendoj se do të ketë një territor në Ukrainë për të cilin ukrainasit janë të vendosur të luftojnë në terren; dhe mund të ketë territor që ata vendosin se do të duhet të përpiqen ta rikthejnë në mënyra të tjera”, tha Blinken.

Ai e bëri këtë koment në përgjigje të një pyetjeje nga Përfaqësuesi Chris Steëart (republican nga Uta), i cili pyeti nëse Shtetet e Bashkuara mbështesin qëllimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të rimarrë Krimenë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë refuzuar të njohin aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Moska në vitin 2014.

Blinken theksoi se vendimet për Krimenë “duhet të jenë vendime ukrainase për atë që duan të jetë e ardhmja e tyre…për sa i përket sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë së vendit”./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme