Blinken siguron aleatët e NATO-s se SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën

15:41 | 30 Nëntor 2023
E.K

Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndodhet sërish në Izrael, ku do të angazhohet për zgjatjen e armëpushimit për t’i hapur rrugën lirimit të më shumë pengjeve dhe dërgimit të më shumë ndihmave në Rripin e Gazës. Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, Sekretari Blinken u përpoq të siguronte aleatët për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Ukrainën, ndërsa Kievi po përgatitet për një tjetër dimër lufte.

Ministria ruse e mbrojtjes publikoi një video të mërkurën, që ajo pretendon se tregon avionët luftarakë rusë dhe artilerinë duke qëlluar objektiva në Ukrainë. Me afrimin e dimrit, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në lindje të Ukrainës.

Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e pranoi se disa vende kanë ngritur shqetësime mbi vazhdimin ndihmës për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO.

“Por, përgjigja për këtë sot këtu në NATO është e qartë dhe e palëkundur. Ne duhet dhe do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, tha ai.

Sekretari Blinken u përpoq të siguronte aleatët e shqetësuar nga mungesa e gatishmërisë së disa ligjvënësve republikanë në Kongres për të vazhduar ndihmat ushtarake për Ukrainën. Ai tha se Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, së fundmi ka folur rreth nevojës për të vazhduar ndihmën për Kievin, që zoti Blinken e quajti “inkurajues”. Një analist tha për Zërin e Amerikës se miratimi i fondeve për Ukrainën nuk është në dorë të Sekretarit Blinken.

“Sekretari Blinken nga dega ekzekutive e qeverisë nuk mund të bëjë shumë për këtë. Miratimi i ndihmës është në duart e Kongresit, degës legjislative të qeverisë dhe tani partia republikane po përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjet për këtë çështje.”

Michael Kimmage profesor në ‘Universitetin Katolik të Amerikës’ tha për Zërin e Amerikës se Sekretari Blinken po dërgon një mesazh të fortë duke marrë pjesë në takimet e NATO-s dhe OSBE-së, gjatë luftës Izrael-Hamas.

“Ka pretendime se Shtetet e Bashkuara tani e kanë zhvendosur vëmendjen në Lindjen e Mesme dhe janë më pak të angazhuara në Evropë. Mendoj se prania e Sekretarit Blinken në takimet e NATO-s dhe të OSBE-së është një përpjekje për të dërguar një sinjal të fortë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përqendruara në Evropë.”

Sekretari Blinken do të qëndrojë në Lindjen e Mesme për bisedime sot dhe nesër, vizita e tij e tretë në rajon që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael.

Zoti Blinken ka thënë se ai do të punojë për zgjatjen e marrëveshjes së armëpushimit për t’i hapur rrugën lirimit të më shumë pengjeve dhe dërgimit të më shumë ndihmave humanitare për civilët palestinezë në Rripin e Gazës. Ai do të vizitojë Izraelin, qytetin e Ramallahut në Bregun Perëndimor dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme