Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë rënë dakord të rinisin një dialog dypalësh mbi Kinën dhe të punojnë së bashku për t’u përballur me “sjelljen sfiduese” të Rusisë, sipas një deklarate të bërë të mërkurën nga Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme, Josep Borrell.
Në deklaratë thuhet se “Ata konfirmuan mirëkuptimin e përbashkët se marrëdhëniet me Kinën janë shumëplanëshe, duke përfshirë elementë të bashkëpunimit, konkurrencës dhe rivalitetit sistemik”. Ndër çështje të tjera që dy kryediplomatët diskutuan gjatë takimit të tyre në Bruksel ishin bashkëpunimi mbi veprimet për klimën, vaksinat e koronavirusit, Iranin dhe Turqinë.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk do të detyrojnë asnjë aleat të NATO-s të zgjedhë mes Uashingtonit dhe Pekinit. Por kryediplomati amerikan paralajmëroi se Kina po kërkon të minojë demokracitë liberale Perëndimore.
Aleatët evropianë si Franca dhe Gjermania po kërkojnë një ekuilibër strategjik në marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonin, i cili do të siguronte që Bashkimi Evropian të mos jetë aq shumë i lidhur me njërën nga të dyja fuqitë e mëdha të botës, sa do të shkaktonte ndarjen me tjetrën.
“Shtetet e Bashkuara nuk do t’i detyrojnë aleatët të zgjedhin, ne ose ata, në rastin e Kinës“, tha zoti Blinken, nga selia e NATO-s në Bruksel në udhëtimin e tij të parë drejt Evropës në cilësinë e diplomatit më të lartë të SHBA-së.
Bashkimi Evropian, i udhëhequr nga Franca, dëshiron pavarësi nga Shtetet e Bashkuara, aleati dhe mbrojtësi i saj prej më shumë se shtatë dekadash. Spanja dhe Holanda i kërkuan bllokut të mbajë të hapur ekonominë e saj ndërsa po kërkon “autonomi strategjike”.
“Vendet mund të punojnë me Kinën atëherë kur është e mundur“, tha zoti Blinken duke theksuar se ndryshimi i klimës ishte një fushë ku bashkëpunimi ishte i domosdoshëm me një vend që ka një popullsi prej 1.34 miliardë banorësh e që emeton një të katërtën e dioksidit të karbonit në botë, më shumë sesa Shtetet e Bashkuara, por që siç tha ai (Blinken), investon gjithashtu në energjinë e rinovueshme.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina po konkurrojnë për ndikim dhe epërsi globale nga makinat elektrike tek biomjekësia, zoti Blinken akuzoi gjithashtu Pekinin se po minon rendit tregtar ndërkombëtar që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ndërtuan pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ata po punojnë në mënyrë aktive për të shmangur rregullat e sistemit ndërkombëtar dhe vlerat që ne dhe aleatët tanë ndajmë“, tha zoti Blinken duke iu referur Kinës.
“Nëse punojmë së bashku për të bërë realitet vizionin tonë pozitiv për rendin ndërkombëtar … ne kemi besim se mund ta tejkalojmë Kinën në çdo fushë“, tha Sekretari amerikan i Shtetit.
Ambiciet ushtarake të Kinës janë gjithashtu në rritje shtoi zoti Blinken.
Kina mohon të ketë kryer shkelje dhe shtuar se i respekton rregullat globale të mbështetura nga institucionet ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Para fjalimit të Sekretarit amerikan të shtetit, në një postim në Twitter të ministrisë së Jashtme kineze thuhej se: “SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja së bashku përbëjnë vetëm 5.7% të popullsisë së botës. Edhe nëse i shtojmë BE-në, kjo do të jetë rreth 11%. Ata nuk mund të përfaqësojnë komunitetin ndërkombëtar“.
Duke iu referuar Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) zoti Blinken tha në një dalje para gazetarëve se: “Ndërsa punojmë me partnerët tanë evropianë, partnerët tanë aziatikë e të tjera vende, ne mund të përbëjmë 40, 50 ose 60% të PBB-së botërore. Kjo do të ishte diçka shumë më vështirë për t’u injoruar nga Pekini”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe Kanadaja vendosën të hënën sanksione ndaj zyrtarëve kinezë për abuzime me të drejtat e njeriut në Xinjiang, në veprimin e parë të tillë të koordinuar perëndimor kundër Pekinit nën Presidentin e ri të SHBA-së, Joe Biden. Pekini u kundërpërgjigj ndaj BE-së me masa më të gjera ndëshkimore.
Vendimi i Kinës për t’i vendosur sanksione ligjvënësve, diplomatëve dhe instituteve evropiane të hënën, si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore, duket se nxitur kundërshtimin ndaj Pekinit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Disa qeveri evropiane kanë thirrur këtë javë në takim të dërguarit e Pekinit në vendin e tyre.
Autoritetet italiane thanë në një deklaratë pas takimit me ambasadorin kinez në Romë se sanksionet ishin “të papranueshme”.
Rusia dhe rreziqet që paraqet
Perëndimi duhet të angazhohet me Rusinë për të mbështetur interesat e ndërsjellta, por duke i mbajtur “sytë hapur”, tha të mërkurën sekretari i amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të rifillojë dialogun përmes një këshilli që nuk është mbledhur prej dy vitesh, duke argumentuar se edhe një marrëdhënie e vështirë ka nevojë të menaxhohet, me qëllim për të ulur rreziqet.
Zoti Blinken, i magjepsi aleatët falë një toni pajtues, pas katër vitesh të administratës së ish-Presidentit Trump që e portretizoi aleancën ushtarake perëndimore si të vjetëruar, duke i kritikuar gjithashtu se nuk kanë shpenzuar sa duhet lidhur me mbrojtjen.
Zoti Blinken bëri thirrje për një qëndrim të qartë e vendosur ndaj Rusinë.
“Në fund të fundit, mendoj se ajo që mund të shpresojmë është të kemi një marrëdhënie me Rusinë që së paku është e parashikueshme dhe e qëndrueshme”, tha ai gjatë një konference shtypi në Bruksel.
“Ndërsa ne punojmë me Rusinë për të përparuar interesat tona dhe për të çuar përpara interesat e aleancës, ne gjithashtu do të punojmë për t’i kërkuar Rusinë të japë llogari për veprimet e saj moskokëçarëse e armiqësore“.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg ka lobuar për një ringjallje të Këshillit NATO-Rusi (NRC) që u krijua në vitin 2002 për të lehtësuar konsultimet mes aleancës ushtarake Perëndimore dhe Moskës. Mes marrëdhëniesh të tensionuara, këshilli u takua për herë të fundit në korrik 2019.
“Dialogu është i rëndësishëm. Sidomos kur kohët janë të vështira siç janë tani, ndaj është e rëndësishme të ulemi dhe të diskutojmë gjithashtu çështje të vështira“, u tha zoti Stoltenberg gazetarëve pasi takimit të ministrave të Jashtëm të aleancës në Bruksel.
“Edhe pa ndonjë përmirësim në marrëdhëniet mes aleatëve të NATO-s dhe Rusisë, besoj se të paktën ne duhet të menaxhojmë një marrëdhënie të vështirë në funksion të transparencën, uljes së rrezikut dhe gjithashtu adresimit të kontrollit ndaj armëve“, tha ai duke shtuar se i takonte Moskës të pranonte ose jo një ftesë nga NATO.
Politika e NATO-s ndaj Rusisë është një qasje me dy-pista të parandalimit dhe dialogut, megjithëse aleanca pezulloi të gjithë bashkëpunimin praktik me Moskën në prill 2014 pas aneksimit nga Rusia të Krimesë nga Ukraina.
Këshillit NATO-Rusi u ringjall në 2016 dhe u takua rregullisht deri në 2019. Por lidhjet mes Rusisë dhe Perëndimit ndodhen në nivelin më të ulët të pas Luftës së Ftohtë, të tensionuara nga çështje që variojnë nga Ukraina tek akuzat për sulme kibernetike ndaj zgjedhjeve amerikane dhe konflikti në Siri.
Të martën, zoti Blinken foli rreth asaj që ai i quajti përpjekje të Rusisë për të destabilizuar Perëndimin dhe forcim ushtarak të Kinës, si kërcënime që kërkonin një NATO të bashkuar./VoA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...