Google ADS

Blinken: SHBA mbështet hapa konkretë për një shtet palestinez

15:04 | 10 Janar 2024
E.K

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, se Uashingtoni mbështet “hapa konkretë” drejt krijimit të një shteti palestinez.

Blinken përsëriti qëndrimin e kamotshëm të Uashingtonit se një shtet palestinez duhet të ekzistojë përkrah Izraelit, “duke jetuar të dy në paqe dhe siguri”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, përmes një deklarate.

Krijimi i një shteti palestinez pritej të ndodhte pas Akordeve të Oslos në vitet ’90, por bisedimet kanë ngecur për vite të tëra.

Qeveria izraelite nuk ka shfaqur interes për ringjalljen e negociatave dhe udhëheqja palestineze vazhdon të jetë e ndarë midis Autoritetit Palestinez, që udhëhiqet nga Abbasi, dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – që udhëheq me Rripin e Gazës.

Abbas e përshkroi Rripin e Gazës si “pjesë integrale e shtetit palestinez”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve palestineze, Wafa.

“Nuk është e mundur të pranohet apo të merren me planet e autoriteteve pushtuese për ta ndarë atë, apo për të shkëputur pjesë të tij”, i tha lideri palestinez kryediplomatit amerikan.

Për javë të tëra po zhvillohen diskutime lidhur me atë se si do të qeveriset Gaza pasi të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi më 7 tetor. Izraeli ka paralajmëruar se luftimet ka gjasa të vazhdojnë për muaj.

Abbas gjatë takimit në Bregun e pushtuar Perëndimor me Blinkenin e ngriti edhe çështjen e “përpjekjeve të bëra për të ndalur agresionin izraelit kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor”, raportoi Wafa.

Lufta e fundit mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe marrë peng 240 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore, tokësore dhe detare që kanë lënë të vdekur mbi 23.000 palestinezë në Rripin e Gazës.

Blinken ditëve të fundit ka qëndruar në disa shtete në rajon, përfshirë edhe në Izrael. Më 9 janar, Blinken deklaroi në Tel Aviv se Izraeli duhet të ndërmarrë ndërmarrë hapa më të mëdhenj për të mbrojtur civilët, për të lejuar dërgimin e më shumë ndihme në Gazë dhe i bëri thirrje të punojë me udhëheqësit e moderuar palestinezë. Ai tha se shtetet rajonale do të investojnë në rindërtimin e Gazës vetëm nëse do të ketë “një rrugë që do të çojë drejt një shteti palestinez”./rel

Të ngjashme