Google ADS

Blinken: Pa një plan për Rafah, Izraeli do përballet me kaosin

09:08 | 30 Maj 2024
R J

Lufta midis Hamasit dhe Izraelit mund të zgjasë edhe 7 muaj të tjerë. Është ky paralajmërimi i kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit. Shtatë muaj janë të mjaftueshme për të arritur objektivat për shkatërrimin e Hamasit, tha zyrtari i lartë. Në një intervistë radiofonike, kreu i Këshillit të Siguisë së Izraelit tha se zgjatja e luftës ishte menduar nga kabineti që në fillimet e saj.

“Tani jemi në muajin e pestë të vitit 2024, që do të thotë se presim edhe shtatë muaj të tjerë luftimesh për të thelluar arritjet tona, për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit dhe Xhihadit Islamik. Duhet të kesh durim dhe të dish të qëndrosh i fortë. Kjo qëndrueshmëri është ajo që e ka lejuar këtë komb të mbijetojë për 75 vjet, madje edhe për 3000 vjet”, tha Tzachi Hanegbi, Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Tanket izraelite u zhvendosën në zemër të Rafahut, pavarësisht urdhrit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për t’i dhënë fund sulmeve në qytet, ku shumë palestinezë ishin strehuar nga bombardimet.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti sulmin izraelit në Rafah “të tmerrshëm” dhe e dënoi atë, duke nënvizuar se “vdekjet tregojnë nevojën për të pasur një plan për Gazën”.

Pa një plan të këtij lloji, shtoi ai, nuk do të ketë “ditë të re” në Gaza dhe “Izraeli do të gjendet përballë kaosit”.

Ushtria izraelite kontrollon tre të katërtat e zonës tampon në kufirin egjiptian dhe synon të kontrollojë të gjithë atë për të parandaluar kontrabandën e armëve nga Hamasi, thonë zyrtarë izraelitë për mediat vendase.

Sakaq, SHBA, aleati më i afërt i Izraelit, përsëriti kundërshtimin ndaj një ofensive të madhe tokësore në Rafah, ndërsa tha se nuk beson se një operacion i tillë kishte kaluar vijën e kuqe.Izraeli /abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme