Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të arrijë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në një vizitë të paparalajmëruar.
Nuk ka pasur njoftim zyrtar për vizitën e 6 shtatorit të Blinkenit, që fillimisht është raportuar nga mediat ukrainase, ndërkaq një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka refuzuar që të komentojë për këtë çështje.
Por, vizita e paparalajmëruar e Blinkenit pritet të zhvillohet disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.
Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, javën e kaluar u takua me tre zyrtarë të lartë ukrainas për të diskutuar lidhur me përpjekjet për të parandaluar korrupsionin gjatë kohës së luftës.
Ukraina në qershor ka nisur kundërofensivën ndaj forcave ruse në jug dhe lindje të vendit. Pavarësisht se kundërofensiva po zhvillohet më ngadalë seç pritej, SHBA-ja tha javën e kaluar se forcat ukrainase kanë bërë përparim të dukshëm në rajonin lindor të Zaporizhjës.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, SHBA-ja i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej mbi 43 miliardë dollarësh. Pakoja e fundit e ndihmës nga Uashingtoni u bë publike në fund të gushtit. Në të përfshihen pajisje për pastrimin e zonave nga minat, raketa për sistemet ajrore, municione për artileri, sisteme raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), dhe mbi 3 milionë fishekë për armë të vogla./rel
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...