Sekretari i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Poloni të enjten dhe u takua me udhëheqësit e vendit për të diskutuar mbi mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe thellimin e bashkëpunimit të Uashingtonit me Varshavën. Kryediplomati amerikan udhëtoi në Poloni, një aleate e NATO-s, pas një vizite në Kiev të mërkurën gjatë së cilës zyrtarët ukrainas kërkuan që t’u lejohet të përdorin raketat e dërguara nga perëndimi për të goditur më në thellësi të territorit rus. Zoti Blinken vizitoi Kievin së bashku me homologun britanik David Lammy. Ata njoftuan se të dy vendet janë zotuar të japin 1.5 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të enjten me Presidentin polak Andrzej Duda në Varshavë në ndalesën e fundit të një turneu evropian që është përqendruar tek situata në Ukrainë.
Udhëtimi në kryeqytetin polak vjen pasi kryediplomati amerikan vizitoi Kievin me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, ku të dy diplomatët u përballen me trysninë në rritje të Ukrainës për të përdorur armatimet e dërguara nga perëndimi për sulme me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë.
“Unë do ta diskutoj kërkesën tuaj në Uashington, duke informuar presidentin. Homologu britanik po bën të njëjtën gjë dhe të dy shefat tanë do ta diskutojnë këtë kur të takohen të premten. Ne jemi përshtatur me situatën ndërsa fushëbeteja ka ndryshuar. Padyshim që do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë edhe në të ardhmen”, tha Sekretari Blinken.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania premtuan gati 1.5 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën gjatë vizitës në Kiev.
Sekretari Blinken njoftoi më shumë se 700 milionë dollarë ndihmë humanitare, ndërsa Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy konfirmoi se vendi i tij do të sigurojë 782 milionë dollarë të tjera ndihmë dhe garanci kredie.
Pjesa më e madhe e ndihmave kanë për qëllim forcimin e rrjetit energjetik që Rusia e ka goditur vazhdimisht ndërsa Ukraina ka përpara një dimër të vështirë. Sidoqoftë, për ukrainasit, thelbësore është heqja e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore më thellë brenda Rusisë
“Unë besoj se në këtë fazë të luftës Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë një ndryshim në qasje ndaj kësaj lufte e kjo është mundësia e përdorimit, përfshirë armët amerikane, kundër objektivave thellë brenda Federatës Ruse”, tha për Zërin e Amerikës deputeti ukrainas Viatrovych.
Me këtë qëndrim pajtohet edhe analisti Adian Karatnycky nga organizata “Këshilli i Atlantikut” i cili thotë se kjo është mënyra që Ukraina të fitojë luftën apo të detyrojë Moskën të pajtohet për një marrëveshje paqeje që të jetë e pranueshme për popullin ukrainas.
“E vetmja mënyrë për këtë është nëse Ukraina ka kapacitetin për të dëmtuar ekonominë e Rusisë duke goditur infrastrukturën e saj të energjisë dhe për këtë nevojiten raketa me rreze të gjatë veprimi”, thotë zoti Karatnycky.
Në ditën e vizitave në Kiev, 17 ish-diplomatë dhe udhëheqës ushtarakë amerikanë dhe britanikë botuan një letër të hapur duke i kërkuar Sekretarit Blinken dhe zotit Lammy të ndryshojnë politikën e armëve. Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë i kanë bërë thirrje të ngjashme administratës së Presidentit Biden këtë javë./voa
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...