Blinken në Izrael për të ardhmen e Gazës pas konfliktit, por luftimet e ashpra vazhdojnë

16:49 | 9 Janar 2024
E.K

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet sot në Izrael në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar zgjerimin e luftës, ndërkohë që përplasjet ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hezbollah në Liban po përshkallzohen. Sekretari Blinken tha se solli në Izrael premtimet e katër shteteve arabe dhe Turqisë për të ndihmuar rindërtimin e Gazës, por theksoi se ato fillimisht kërkojnë ndaljen e luftimeve dhe hapa konkrete për krijimin e shtetit palestinez, plan ky që po kundërshtohet ashpër nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Në përpjekje për të penguar zgjerimin e luftës në Lindje të Mesme dhe për t’i dhënë një epilog luftës në Gazë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken takoi sot udhëheqësit izraelitë duke sjellë me vete premtimet e katër shteteve arabe dhe Turqisë se do të ndihmojnë rindërtimin e Gazës pas përfundimit të luftimeve dhe hapave konkretë për krijimin e një shteti palestinez.

“Kam ardhur këtu pas vizitës në disa shtete të rajonit: Turqi, Greqi, Jordani, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe dua të ndajë ato që dëgjova nga udhëheqësit e këtyre vendeve me Presidentin si dhe me kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Do të kemi mundësi të ulemi me familjet e disa prej pengjeve dhe të bisedojmë për përpjekjet tona të vazhdueshme që t’i kthejmë të gjithë në shtëpi, pranë familjeve të tyre. Po bisedohet shumë në veçanti për rrugën përpara,” deklaroi Sekretari Blinken në fillim të vizitës.

Ndërkohë që zoti Blinken takoi Presidentin izraelit Isaac Herzog në Tel Aviv, dhjetra protestues u mblodhën për të kërkuar armëpushim në Rripin e Gazës për të ndihmuar lirimin e pengjeve. Rreth 108 pengje besohet se ende po mbahen nga Hamasi. Deri më tani 105 janë liruar dhe rreth 24 janë vrarë.

Por, bombardimet e ashpra ndaj Gazës kanë vazhduar dhe organizatat e ndihmave njoftuan për vështirësi në shpërndarjen e ndihmave për qindra mijëra të zhvendosur në Gazë ndërkohë që lufta po hyn në muajin e tretë.

Përplasjet mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah në Liban po ashtu janë ashpërsuar pas operacioneve izraelite në Beirut kundër udhëheqësve të Hamasit në javët e fundit.

Takimet e Sekretarit Blinken në Izrael – vizita e tij e katërt në Lindje të Mesme që nga fillimi i luftës në Gazë në tetor – nënvizojnë dallimet e thella ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit rreth të ardhmes së Gazës.

Shtetet e Bashkuara janë të mendimit që Autoriteti Palestinez të marrë nën qeverisje Gazën, kurse udhëheqësit izraelitë e kanë kundërshtuar këtë ide, ndonëse nuk kanë ofruar plan tjetër përpos kontrollit të pafund ushtarak ndaj enklavës.

Presidenti izraelit Isaac Herzog kritikoi fillimin e procesit gjyqësor ndaj Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të enjten, pas padisë të ngritur nga Afrika e Jugout që akuzon shtetin hebraik për gjenocid në Gazë.

“Nuk ka asgjë më mizore dhe absurde se ky pretendim. Në fakt, armiqtë tanë, Hamasi në statutin e vet, bën thirrje për asgjësimin e shtetit të Izraelit, shtetit të vetëm të hebrenjve… Po bëjmë çmos nën rrethana tejet të komplikuara në terren që të sigurohemi të mos ketë pasoja të paqëllimshme dhe viktima civile. Po i njoftojmë. Po i thërrasim. Po u tregojmë. Po dërgojmë fletushka. Po përdorim të gjitha mjetet që na mundëson ligji ndërkombëtar për t’i larguar njerëzit, në mënyrë që të çmontojmë këtë qytet masiv të terrorit, të ndërtuar poshtë shtëpive të njerëzve, xhamive, dyqaneve dhe shkollave…,” thotë Presidenti izraelit Herzog.

Zyrtarët amerikanë po ashtu po kërkojnë nga Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës në Gazë dhe të përqëndrohet në operacione që vënë në shënjestër militantët e Hamasit, grup të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë terrorist. Ndërkohë zyrtarët izraelitë kanë parashikuar se luftimet në Gazë, ku militantët e Hamasit po vazhdojnë të luftojnë, do të zhvillohen gjatë tërë këtij viti.

Lufta në Gazë filloi pasi Hamasi vrau 1,200 izraelitë dhe rrëmbeu 240 pengje më 7 tetor. Që atëherë, mbi 23,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e qeverisur nga Hamasi, janë vrarë në sulmet izraelite./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme