Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po qëndron në Izrael për ato që pritet të jenë bisedime të ashpra me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me luftën në Gazë, teksa dallimet publike rreth konfliktit janë thelluar.
Kjo është ndalesa e fundit e Blinkenit në misionin e tij të gjashtë diplomatik në Lindjen e Mesme, në të cilin ai pritet të takohet me Netanyahun dhe kabinetin e tij të luftës, me synimin që t’i bindë ata të mos zbatojnë planet e tyre për një ofensivë ushtarake në qytetin jugor të Rafahut.
Një ofensivë në shkallë të gjerë në Rafah ka rritur frikën se mund të përkeqësojë edhe më shumë krizën e thellë humanitare në Rripin e Gazës.
“Një operacion i madh ushtarak në Rafah do të ishte gabim dhe është diçka që ne nuk e mbështesim”, tha një ditë më parë Blinken gjatë qëndrimit në Kajro, ku u takua me kryediplomatët nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Blinken pritet t’i paraqesë Netanyahut alternativa për të luftuar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Rafah.
Bisedimet do të vazhdojnë edhe javën tjetër kur ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe një delegacion i ndarë i zyrtarëve të lartë izraelitë do të vizitojnë Uashingtonin. Netanyahu u pajtua për vizitën e këtij delegacioni gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të hënën me presidentin amerikan, Joe Biden. Kjo ishte biseda e parë në muajin e fundit mes udhëheqësve në mes të thellimit të dallimeve.
Vizita e Blinkenit nuk ishte paralajmëruar kur kryediplomati amerikan nisi turneun e tij në Lindjen e Mesme. Kjo vizitë vjen pasi zyrtarët e lartë të inteligjencës nga SHBA-ja, Izraeli, Egjipti dhe Katari pritet të takohen në Doha për të diskutuar për detajet e një marrëveshjeje armëpushimi, që parasheh edhe lirimin e pengjeve.
Hamasi, gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit – sulm që nxiti luftën – vrau afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë afër 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi./rel
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...