Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se politikani serb i Bosnjës, Milorad Dodik është në rrugën autoritare të presidentit rus Putin. Në një postim në rrjetet sociale, sekretari Blinken tha se këtë e dëshmojnë sulmet e tij ndaj të drejtave themelore dhe liritë e njeriut në Republikën Serbe.
Komentet e sekretarit Blinken pasuan zhvillimet e fundit në entitetin serb të Bosnjës dhe paralajmërimin e udhëheqësit të atij entiteti Milorad Dodik për shkëputjen e marrëdhënieve me ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Qeveria e Republikës Serbe tha se do ta shpallë vepër penale “shpifjen”, do të miratojë ligjin mbi agjentët e huaj si dhe qasjen e pjesëtarëve të komunitetit LGBT në institucionet arsimore të këtij entiteti.
Sekretari Blinken tha se Departamenti i Shtetit i përfaqësuar nga ambasadori
Michael Murphy, vazhdon të angazhohet “për të ardhmen demokratike dhe të begatë që e meritojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës”.
Më herët gjatë të mërkurës ambasada amerikane në Sarajevë shkroi se “asnjë vend, asnjë grup qytetarësh, jashtë Shteteve të Bashkuara, nuk është kujdesur më shumë, nuk ka investuar më shumë ose ka bërë më shumë për të mbështetur dhe ndihmuar popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës, pavarësisht se çfarë thotë dikush tjetër. Dhe kjo nuk do të ndryshojë”.
Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u shohin veprimet e Milorad Dodikut dhe kërcënimet e tij për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina, si të rrezikshme për paqen në vend dhe në rajon.
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë dhe Hercegovinë përfshirë presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, “për veprimtari korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.
Moska i ka shfrytëzuar ndasitë në Bosnjë duke mbështetur politikat e Milorad Dodikut, i cili nderoi presidenti rus Putin me 9 janar të këtij viti me rastin e “ditës së Republikës Serbe”, një kremtim që është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës./voa
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...