Blinken: Kina mund t’i japë Rusisë armë për luftën në Ukrainë

18:10 | 19 Shkurt 2023
E.H

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se Kina po e shqyrtonte sigurimin e armëve për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, duke paralajmëruar Pekinin se çdo furnizim do të “shkaktonte një problem serioz”.

“Shqetësimi që kemi tani bazohet në informacionin se ata po konsiderojnë të ofrojnë mbështetje vdekjeprurëse”, tha Blinken për Face The Nation të CBS.

I pyetur se çfarë mbështetjeje vdekjeprurëse po fliste, ai tha “gjithçka nga municionet deri te vetë armët”.

Kina ka mohuar raportimet se Moska ka kërkuar pajisje ushtarake.

Presidenti kinez, Xi Jinping, është një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ende nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës – por ai ka kërkuar të mbetet neutral në konflikt dhe ka bërë thirrje për paqe.

Më 18 janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka shkruar një letër liderit kinez duke e ftuar atë për bisedime.

Zelensky vazhdimisht ka kërkuar që të krijojë kontakt me Xi që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, me shpresën se Pekini do të përdorë ndikimin që ka mbi Putinin.

Kina dhe Rusia njoftuan për një bashkëpunim “pa kufi” pak para se Putin të urdhëronte trupat e tij të nisnin pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit të vitit 2022.

Që nga ky moment, marrëdhëniet ruso-kineze kanë ndryshuar, kryesisht për shkak të ideologjive të ngjashme për të rishkruar rendin botëror, por edhe për shkak të kundërshtimeve që kanë ndaj Shteteve të Bashkuara në skenën globale.

Në vitin 2023, pyetja qendrore mbetet ajo se si Kina do të rrisë lidhjet me Rusinë, marrë parasysh luftën e kësaj të fundit në Ukrainë.

Ndonëse ekspertët besojnë se është e qartë që Pekini nuk ka synime që të heqë dorë nga Moska si partnere, megjithatë mund të planifikohen kufizime se deri në çfarë mase Kina do të mund të ndihmojë Rusinë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme