Google ADS

Blinken kërkon zgjidhje diplomatike për konfliktin në Liban

13:49 | 25 Tetor 2024
E.K

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u zotua se do të punojë me “urgjencë” për zgjidhje diplomatike, me qëllim që t’i jepet fund ofensivës së Izraelit në Liban, por tha se fillimisht është thelbësore që të ketë mirëkuptim për çarmatosjen e Hezbollahut.

Hezbollahu është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur atë organizatë terroriste, ndërkaq Bashkimi Evropian ka vetëm krahun politik të grupit në listën e zezë. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Gjatë takimit me kryeministrin libanez, Najiv Mikati, në Londër, Blinkeni po ashtu u zotua për mbrojtjen e civilëve, por nuk kërkoi një armëpushim të menjëhershëm nga Izraeli, i cili varet nga mbështetja diplomatike dhe ushtarake e SHBA-së.

“Ne kemi një ndjenjë të urgjencës për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike dhe zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të ketë një siguri të vërtetë përgjatë kufirit mes Izraeli dhe Libanit”, tha Blinken për gazetarët, duke shtuar se është i angazhuar “në mënyrë intensive”.

Rezoluta 1710, e miratuar më 2006, pas një lufte mes Izraelit dhe Hamasit, bën thirrje për çarmatosjen e grupeve joshtetërore në Liban, që është një aluzion për Hezbollahun, që financohet nga Irani, grup që ka ushtrinë e tij. Rezoluta po ashtu kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga shteti.

Blinkeni tha se është thelbësore që të ketë “mirëkuptimin e nevojshëm për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701”.

“Sa më shpejt që të bëhet kjo, aq më shpejt do të arrijmë te një zgjidhje”, tha Blinken.

Ai bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe ushtarëve libanezë, pasi të paktën 11 nga ta janë vrarë që kur Izraeli nisi ofensivën tokësore në Liban muajin e kaluar.

SHBA-ja ka bërë thirrje për forcimin e Forcave të Armatosura të Libanit dhe Qeverisë së brishtë qendrore në Bejrut, në mënyrë që të mund të ketë ndryshim të sigurisë dhe Hezbollahu të lihet në hije.

Kryeministri libanez Mikati tha se vetëm shteti dhe ushtria libaneze duhet të ketë armë.

Ndërkaq, në një takim të ndarë me Blinkenin, ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, i tha kryediplomatit amerikan se Qeveria libaneze e ka bërë të qartë se do ta respektojë Rezolutën 1701.

“Agresioni në Liban duhet të ndalet menjëherë. Asgjë nuk mund të justifikohet me vazhdimin e tij”, tha Safadi.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr në kufi që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor 2024, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Ndërkaq, në fillim të tetorit të këtij viti tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme