Izraeli mbrojti sulmin ndaj një shkolle të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të kthyer në strehë për të shpërngulurit palestinezë, në qendër të Gazës. Izraeli thotë se gjashtë punonjësit e organizatës humanitare të OKB-së që ishin mes 18 të vrarëve, ishin anëtarë të Hamasit. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se do të ngrejë çështjen e mbrojtjes së punonjësve të organizatave humanitare me Izraelin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara Sekretari Blinken gjithashtu e kritikoi Hamasin, që Uashingtoni e konsideron organizatë terroriste, për “fshehjen” në vendet ku gjenden civilët.
Shkolla ‘Al-Jawni’ në Gazën qendrore është goditur disa herë nga sulmet ajrore izraelite që nga fillimi i përgjigjes ushtarake ndaj sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor. Sulmi i fundit, të mërkurën, vrau 18 njerëz.
OKB thotë se gjashtë nga të vrarët punonin për UNRWA, agjencinë e saj për refugjatët palestinezë, duke përfshirë edhe menaxherin e strehës. Rreth 12,000 njerëz janë strehuar në shkollë.
Izraeli mbrojti sulmin dhe tha se punonjësit e OKB-së ishin në fakt anëtarë të Hamasit.
“Kur një shkollë nuk është më shkollë, por bëhet qendër komandimi i Hamasit për të planifikuar dhe kryer sulme terroriste kundër trupave tona dhe kundër popullit tonë në Izrael, atëherë ai bëhet objektiv legjitim”, thotë David Mencer, zëdhënës i qeverisë izraelite.
OKB-ja as nuk e konfirmon dhe as nuk e mohon akuzën e Izraelit se të vrarët ishin anëtarë të Hamasit.
Gjatë vizitës në Poloni të enjten, Sekretari Antony Blinken bëri thirrje përsëri për një armëpushim dhe kritikoi të dyja palët.
“Zonat që shfrytëzohen për qëllime humanitare duhet mbrojtur. Kjo është diçka që ne vazhdojmë ta ngremë me Izraelin. Në të njejtën kohë ne vazhdojmë të shohim Hamasin duke u fshehur dhe duke përdorur këto vende për të kryer operacionet e tij”, tha sekretari Blinken.
Izraeli ka akuzuar vazhdimisht punonjësit e OKB-së se janë të lidhur me grupet militante në Gazë.
“Ne e kemi dëgjuar këtë më parë, por nuk kemi parë prova. Mbetet për t’u parë nëse zyrtarët amerikanë i kanë parë ato prova. Por ajo që dimë është se kishte mijëra njerëz që ishin strehuar në këtë shkollë. Ne e dimë se është shkolla e gjashtë që vihet në shënjestër që nga 1 tetori nga ushtria izraelite dhe e dimë gjithashtu se ka rregulla lufte”, thotë Natasha Hall nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Ndërkohë, Turqia e fajëson Izraelin dhe njoftoi nisjen e hetimit të saj për vdekjen e Aysenur Ezgi Eygi-t, aktiviste turko-amerikane e cila u vra nga forcat izraelite javën e kaluar ndërsa protestonte në Bregun Perëndimor.
“Ne do të ndërmarrim çdo hap ligjor për të siguruar që gjaku i Aysenur Ezgi Eygi-t tonë të mos mbetet në tokë”, tha presidenti turk.
Ofensiva e Izraelit në Gazë ka vazhduar për 11 muaj, pavarësisht trysnisë së Uashingtonit që palët të arrijnë një armëpushim në këmbim të lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Hamasi, grupi i përcaktuar si terrorist nga Shtetet e Bashkuara tha të mërkurën se është gati të zbatojë propozimin amerikan pa kushte të reja nga asnjëra palë.
Pikat kryesore përfshijnë kontrollin e korridorit të Filadelfit, një zonë e ngushtë toke në kufirin e Gazës me Egjiptin. Shtetet e Bashkuara thanë të shtunën se një propozim më i detajuar për armëpushim do të bëhet në ditët e ardhshme./VOA/
Kumbaro ndan pamje nga pazari i Gjirokastrës nën atmosferën ...
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...