Blair nuk dorëzohet, fushatë anti-Brexit

14:48 | 17 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Negociatat për “divorcin” mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian pritet të nisin brenda pak javësh, por në Londër zërat kundër “Brexit” bëhen gjithnjë e më të lartë.

Njëri prej tyre është edhe ish-kryeministri  britanik i një dekade, Tony Blair. Blair ka qenë kundër Brexit para se të ndërmerrej referendumi, ndërsa tani që shkëputja po bëhet fakt, nuk dëshiron të dorëzohet.

Ai pritet të njoftojë këtë të premte nismën që synon të bindë britanikë që të ngrihen kundër “Brexit”, pasi sipas tij, ata nuk kanë qenë të qartë dhe nuk janë njohur me kushtet e shkëputjes para, gjatë dhe pas referendumit.

“Sfida jonë është të tregojmë koston reale të këtij vendimi. Të tregojmë sesi u votua pa u shpjeguar votuesve pasojat reale”, thotë Blair.

Në fjalimin që pritet të mbajë më vonë gjatë ditës, thuhet se Blair nuk do të kundërshtojë rezultatin e referendumit, por do të kërkojë nga britanikët që të reflektojnë mbi pasojat që do të ketë shkëputja.

Blair ishte kryeministëri i Britanisë së Madhe nga viti 1997 deri në vitin 2007.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme