Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë filluar bisedimet për vendosjen e sanksioneve të mundshme ekonomike kundër Bjellorusisë.
“Po fillojmë diskutimet për vendosjen e sanksioneve pasi rrëmbimi i avionit dhe ndalimi i dy pasagjerëve, është plotësisht i papranueshëm”, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe çështje të Sigurisë i BE-së, Josep Borrell.
Bisedimet po mbahen në Lisbonë të Portugalisë, vendi që mban kryesimin e Bashkimit Evropian.
Ai nuk dha më shumë detaje.
Disa ministra kanë thënë se sanksionet e BE-së duhet të vendosen ndaj sektorëve nga të cilët përfiton udhëheqja bjelloruse, siç është ai i naftës.
Ndërkohë të enjten (27 maj), Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) do të mbajë një takim urgjent pas thirrjeve ndërkombëtare për të hetuar devijimin e një fluturimi civil nga ana e Bjellorusisë, që u bë me qëllim të arrestimit të një gazetari dhe aktivisti të opozitës.
Më 23 maj, Bjellorusia e detyroi një fluturim të Ryanair të devijojë fluturimin nga Greqia për në Lituani dhe të ulet në kryeqytetin bjellorus, Minsk. Pastaj, policia bjelloruse arrestoi gazetarin dhe aktivistin e opozitës, Raman Pratasevich dhe të dashurën e tij, Sofia Sapega.
Më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore, që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, bën thirrje që ICAO të hetojë urgjentisht incidentin.
Pas një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit këto vende e quajtën incidentin “të papranueshëm” dhe kërkuan “përgjegjësi të plotë”.
Ato gjithashtu bën thirrje që Bjellorusia të lirojë menjëherë Pratasevich dhe të dashurën e tij, Sofia Sapega.
“E dënojmë incidentin dhe vlerësojmë se kjo ishte një përpjekje e hapur nga autoritetet bjelloruse për të heshtur opozitën”, u tha në deklaratën e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara, Belgjika, Estonia, Franca, Irlanda, Belgjika, Gjermania, Norvegjia dhe Britania e Madhe.
Bjellorusia është anëtare e ICAO. Në fillim të kësaj jave, organizata shprehu shqetësim për uljen e detyruar të aeroplanit.
Sipas konventës së vitit 1944 që themeloi ICAO-n, çdo shtet gëzon sovranitet mbi hapësirën ajrore të territorit të tij. Megjithatë, rezoluta thotë se vendet anëtare duhet të përmbahen nga përdorimi i armëve kundër aeroplanëve civilë dhe që jeta e personave në bord dhe siguria e avionëve nuk duhet të rrezikohen.
Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi më i lartë vendimarrës politik i NATO-s, tha më 26 maj se veprimi i Bjellorusisë ishte shkelje e rregullave të aviacionit civil dhe rrezikoi jetën e pasagjerëve.
Fluturimi u devijua pasi udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, urdhëroi një aeroplan luftarak të shoqëronte uljen e aeroplanit civil.
Incidenti është pasuar me reagime të ashpra ndërkombëtare. Rregullatori i aviacionit civil të Evropës u ka bërë thirrje linjave ajrore, që për arsye të sigurisë, të shmangin hapësirën ajrore të Bjellorusisë.
Autoritetet në Bjellorusi kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se kanë vepruar sipas ligjit.
Lukashenka ka thënë se kritikët e tij po zhvillojnë “luftë hibride”.
Ai i tha parlamentit se janë shkelur “shumë vija të kuqe” kur u vendosen sanksione ndaj Bjellorusisë.
Ndaj Lukashenkas dhe aleatëve të tij tashmë janë vendosur një sërë sanksionesh nga ana e Perëndimit për shkak të shtypjes së protestave masive, që filluan pas zgjedhjeve të fundit.
Bjellorusia është tronditur nga protestat që kur Alyaksandr Lukashenka – në pushtet që nga viti 1994 – u shpall fituesi i zgjedhjeve presidenciale në gusht të vitit 2020. Perëndimi dhe opozita i konsiderojnë zgjedhjet e manipuluara.
Opozita thotë se Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila u arratis në Lituaninë fqinje pas zgjedhjeve për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë e saj, ishte fituesja e vërtetë e zgjedhjeve.
Por, Lukashenka gëzon mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili pritet ta presë atë në takim më 28 maj.
Gazetari 26-vjeçar, Pratasevich po përballet me akuza të organizimit të trazirave civile, një vepër e dënueshme me deri në 15 vjet burg.
Ai ishte një administrator kryesor i kanalit Telegram Nexta-Live, që ka mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi.
Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë dhe ish-Bashkimin Sovjetik që ende kryen dënime me vdekje./REL/
Barcelona mbetet sërish pa Torresin
Kushtetuesja shtyn për janar shqyrtimin e kërkesës së ish-kr...
“Mua më pëlqen është çikë e mirë”, Driloni flet me Rovenën p...
Rama vijon traditën, ndan medalje ari për 188 nxënësit eksel...
Izraeli konfirmon për herë të parë vrasjen e liderit të Hama...
Rrustem Alia jep dorëheqje nga posti i presidentit të Suhare...