Google ADS

Bisedime në Norvegji mbi krizën në Venezuelë

20:06 | 16 Maj 2019
Trina Galanxhi

Përfaqësues të qeverisë së Venezuelës si dhe opozitës ndodhen në Norvegji për të biseduar rreth një zgjidhjeje për krizën politike dhe ekonomike që ka përfshirë vendin.

Zyrtarët në Karakas njoftuan se ministri i Informacionit Jorge Rodriguez po përfaqëson në bisedime Presidentin Nicolas Maduro, ndërsa ligjvënësi Stalin Gonzalez udhëheq delegacionin opozitar.

Presidenti Maduro tha se zoti Rodriguez ndodhej me një “një mision shumë të rëndësishëm” jashtë vendit, gjatë një fjalimi televiziv që mbajti të mërkurën, por nuk dha më shumë detaje lidhur me këtë çështje.

Negociatat në Norvegji mbahen pasi ushtria dështoi të dëgjojë thirrjen që i bëri në 30 prill kreu i opozitës si dhe presidenti i vetëshpallur Juan Guaido për t’iu kundërvënë Nicolas Maduros.

Juan Guaido, kreu i Asamblesë Kombëtare, u vetëshpall president më parë gjatë këtij viti pasi organi legjislativ që kontrollohet nga opozita doli në përfundimin se Nikolas Maduro fitoi një mandat tjetër si president, falë një procesi të paligjshëm zgjedhor.

Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera njohin Juan Guaidon si presidentin legjitim të Venezuelës. Situata në Venezuelë i ka futur Shtetet e Bashkuara në konflikt me Rusinë që ka furnizuar me pajisje ushtarake regjimin e Nikolas Maduros dhe Kubën. Shtetet e Bashkuara akuzojnë Moskën për vendosjen e trupave pro-Maduros në terren në Venezuelë.

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara pezulluan të gjitha fluturimet tregtare mes SHBA-së dhe Venezuelës.

Sekretarja e Transportit Elaine Chao tha se ajo, së bashku me sekretarin e Shtetit dhe atë për Sigurinë Kombëtare, mendojnë se kushtet në Venezuelë janë të tilla “që kërcënojnë sigurinë e udhëtarëve, ekuipazhit apo të avionëve”.

Shumë linja ajrore ndërkombëtare, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, i kanë ndalur tashmë fluturimet drejt Venezuelës apo anasjelltas, për shkak të trazirave politike./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme