Google ADS

Bisedime mes SHBA-së dhe Kinës, diskutohet çështja e furnizimit me armë

22:12 | 14 Mars 2022
KRG

Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur bisedime “intenzive” me Kinën në një përpjekje për ta ndaluar së furnizuari Rusinë me armë, raporton The Guardian.

Kjo u arrit përmes një takimi në Romë, të cilën Shtëpia e Bardhë e sheh si shumë të rëndësishme, jo vetëm për luftën në Ukrainë por edhe për të mbajtur balancën e fuqive botërore në të ardhmen.

Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, u takua me homologun e tij kinez, Yang Jiechi, për bisedime gjithëditore në kryeqytetin italian të hënën, mes të thënave se Rusia i ka kërkuar Kinës armë për të forcuar pushtimin e saj të lëkundur në Ukrainë.

“Ishte një seancë intenzive shtatë-orëshe, duke reflektuar në tensionin momental të konfliktit, si dhe angazhimin tonë për të mbajtur linja të hapura komunikimi,” tha një zyrtar i lartë i administratës.

Ai tha se ky takim nuk kishte të bënte me negocimin e çështjeve apo rezultateve specifike, por me një shkëmbim të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë të pikëpamjeve, shkruan Reporteri.net.

I pyetur nëse takimi ka qenë i suksesshëm, zyrtari u përgjigj duke thënë se kjo varet në mënyrën se si e definoni ju suksesin, teksa shton se është shumë e rëndësishme të mbajnë linjat e komunikimit të hapura mes SHBA-së dhe Kinës, sidomos në fushat ku ka mospajtime mes të dy palëve.

Ky takim ishte planifikuar të mbahet qysh para pushtimit rus, ndaj mbuloi edhe tema të tjera, përfshirë arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut dhe Tajvanin.

Të ngjashme