Koreja e Jugut ka sugjeruar formimin e një ekipi të përbashkët të hokejt për femrat me Korenë e Veriut për të konkurruar në Olimpiadën Dimërore muajin e ardhshëm, një zhvillim i mundshëm historik në marrëdhëniet ndërmjet rivalëve të hidhur.
Propozimi u bë të martën kur delegacionet nga të dy vendet zhvilluan bisedime në fshatin kufitar Panmunjom dhe u konfirmua të shtunën nga përfaqësuesi i Koresë së Veriut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Chang Ung.
“Kjo është një temë në diskutim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar,” u tha Chang gazetarëve në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit. Chang po kthehej në kryeqytetin Phenian të Koresë së Veriut pas një vizite në selinë qendrore të organizatës olimpike në Zvicër. Chang nuk tha nëse Koreja e Veriut e mbështet propozimin.
Pas diskutimeve të tyre të para zyrtare në më shumë se dy vjet, të dy vendet ranë dakord të martën se Veriu do të merrte pjesë në lojëra dhe do të zhvillonte bisedime ushtarake për të përmirësuar marrëdhëniet.
Marrëveshjet u arritën në takimet e nivelit të lartë ndër-koreane të mbajtura të martën në Panmunjom, i ashtuquajturi “fshati i paqes” që shtrihet në kufirin mes të dy vendeve dhe ku u nënshkrua armëpushimi i vitit 1953 që i dha fund Luftës Koreane.
Vendet rivale kanë formuar ekipe të përbashkëta sportive vetëm dy herë më parë – të dyja herët në vitin 1991 – kur ata morën pjesë së bashku në një turne të futbollit të të rinjve dhe në një kampionat të pingpongut. Seancat e mëparshme negociuese të hartuara për të dërguar një ekip të përbashkët në Lojërat Olimpike nuk ishin të suksesshme.
Vendet fqinje pritet të diskutojnë më tej në lidhje me propozimin në Panmunjom të hënën pasi ranë dakord të shtunën për të mbajtur diskutime në nivel pune në anën e Koresë së Veriut të fshatit të paqes.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka sugjeruar që të mbahet një takim më 20 janar në selinë e tij në Zvicër për të diskutuar pjesëmarrjen e Veriut në lojrat, që do të zhvillohen në Pyeongchang të Koresë së Jugut./VoA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...