Bill Gates është i pakënaqur me vaksinimin dhe diagnozën e Covid

10:48 | 15 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Bill Gates, themeluesi i Microsoft dhe një filantrop i madh, ka investuar shumë në luftën kundër sëmundjeve të ndryshme në mbarë botën përmes fondacionit të tij.

në këto vite përmes fondacionit të tij janë investuar miliona dollarë për kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave kundër koronavirusit, por ngjan se ai është i pakënaqur me mënyrën se si ka rezultuar e gjithë kjo, transmeton portal arbresh.info

Në një intervistë me Policy Exchange, gjatë një vizite në konferencën COP26, Gates zbuloi se ai nuk ishte i kënaqur me vaksinat që janë aktualisht në dispozicion.

“Ne nuk kemi vaksina që bllokojnë transmetimin. Kemi vaksina që ndihmojnë në zvogëlimin e transmetimit të infeksionit. Ne kemi nevojë për mënyra të reja për të krijuar vaksinën, vetë trajtimin, disa ilaçe mund të ndihmojnë, por edhe ato janë pak. Nuk arritëm të marrim diagnozën më të mirë”, tha ai.

Gjatë viteve të fundit, Gates ka paralajmëruar për pandemitë që mund të godasin njerëzimin.

“Kam mbajtur fjalimin e parë TED në vitin 2015 dhe që atëherë kam shkruar artikuj të shumtë me titull “Nuk jemi gati për pandeminë e ardhshme” dhe, për fat të keq, ishte një parashikim më i mirë i asaj që ndodhi nga sa mund ta imagjinonte dikush. Nga dëmi ekonomik e deri te vdekjet e shumta, është thjesht e tmerrshme”, theksoi Gates.

Ai shpreson se për pesë vjet do të jetë në gjendje të shkruajë një libër të quajtur “Ne jemi gati për pandeminë e ardhshme”.

Gates ka theksuar se do të nevoiten dhjetëra miliarda dollarë shpenzime për kërkimet rreth pandemisë.

“Si do të reagojë bota ndaj kësaj? E dini, nuk ka asnjë burim të vërtetë të një epidemie. Dhe bioterrorizmi po shkakton epidemi që mund të jenë edhe më të këqija se sa mund të përjetojmë sot”, tha ai.

“Megjithatë, përparimet në mjekësi duhet të na ofrojnë mjete që duhet të jenë shumë më të mira. Nëse duam të jemi gati për pandeminë e ardhshme, na duhen gjëra si prodhimi i vaksinave të lira, fabrika të mëdha…”, theksoi ai, por gjithnjë duke shprehur një dozë të vogël të optimizmit.

Kur u pyet për pranimin e ulët të vaksinave në botë dhe teoritë e konspiracionit apo dezinformatat që përhapen në rrjetet sociale, Gates ishte i qartë.

“Është një rrethanë fatkeqe. E dini, ka pasur gjithmonë teori të çmendura dhe teori konspirative në botën dixhitale. Ato ndoshta janë përhapur më shpejt dhe në mënyrë më efikase pikërisht për shkak të botës dixhitale,” tha Gates.

Ai theksoi se qeveritë nëpër botë është dashur që të reagojnë më herët, në vend se të linin hapësira që Facebook dhe mediat tjera sociale të merreshin me të.

“Përfundimisht, qeveritë do të duhet të testojnë këto teori konspirative dhe të ngadalësojnë përhapjen e tyre. Thjesht ankimet për sektorin privat nuk do të çojnë në një zgjidhje. E pranoj, ky është problemi,” shtoi Gates./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme