Ndërsa në Shtetet e Bashkuara vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, sondazhet e fundit tregojnë zbutjen e mbështetjes mes votuesve afrikano-amerikanë dhe hispanikë për Presidentin Joe Biden. Analistët theksojnë se rënia e mbështetjes nuk është ekstreme, por në rast të një gare të ngushtë, ato mund të jenë vendimtare. Fushata e Presidentit Biden i tha Zërit të Amerikës se nuk po merr asnjë votë si të mirëqenë.
Kur demokrati Joe Biden u zgjodh në postin e presidentit në nëntor të vitit 2020, ai gëzonte mbështetjen e më shumë se 70 për qind të votuesve jo të bardhë, sipas gazetës New York Times. Por kjo mbështetje duket se po bie.
Një analizë e kësaj gazete në fillim të shtatorit tregon se zoti Biden gëzon një mbështetje prej 53% të votuesve jo të bardhë përballë republikanit Donald Trump. Analiza bazohet tek përpilimi i sondazheve të marra mes viteve 2022 dhe 2023 nga New York Times dhe Kolegji Siena, sipas gazetës.
Madelaine Bushey, bijë emigrantësh nga Peruja, thotë se e mbështet rizgjedhjen e zotit Biden dhe se nuk është e habitur që disa hispanikë po anojnë në krahun republikan.
“Hispanikët janë paksa konservatorë. Çështjet e abortit, të drejtat e grupeve LGBTQ+ po zënë një hapësirë të madhe në media dhe komuniteti ynë është konservator për këto çështje. Republikanët po gjejnë mbështetje tek hispanikët”.
Analistët thonë se disa hispanikë dhe afrikano-amerikanë kanë prirje drejt së djathtës.
“Po vërejmë hispanikë dhe afrikano-amerikanë konservatorë që po i bashkohen Partisë Republikane. Kjo zhvendosje pasqyron prirjet ideologjike gjatë dekadave”, thotë zoti Omar Wasow me Universitetin e Kalifornisë.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, profesori i Universitetit të Kalifonisë, Zoltan Hajnal thotë se prirjet nuk janë të qarta.
“Nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të analizuar ndikimin e prirjeve në të ardhmen ose nëse do të vazhdojë kjo prirje”.
Historikisht, rreth 90% e afrikano-amerikanëve votojnë për demokratët, por disa votues i thanë Zërit të Amerikës se ende janë të pavendosur për zgjedhjet e vitit 2024. Ata thonë se janë të zhgënjyer nga administrata e Presidentit Biden, kryesisht kur flitet për pabarazitë sociale dhe ekonomike. Votuesja Lonnie Persley thotë se ekonomia është problem shqetësues.
“Inflacioni është alarmant dhe nuk kemi një rritje të mirë të pagave”.
Denise Williams thotë se ka pabarazi sociale dhe ekonomike të pazgjidhura.
“Për sa i përket kujdesit shëndetësor dhe të ardhurave për grupet e pakicave, nuk janë në të njëjtën shkallë”.
Fushata e zotit Biden thotë se axhenda e presidentit gëzon popullaritet mes afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve
dhe se vazhdojnë përpjekjet për t’i komunikuar tek këto komunitete arritjet e administratës.
“Nuk jemi të përqendruar tek çdo sondazh. Po përpiqemi të jemi pranë çdo komuniteti vendimtar për zgjedhjet. E dimë se nuk mund ta marrim si të mirëqenë votën e afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve. Kjo është arsyeja pse po përpiqemi të komunikojmë me çdo votues që në fazat e hershme të fushatës”, thotë për Zërin e Amerikës Kevin Muñoz, zëdhënës i fushatës së Presidentit Biden.
Fushata e zotit Biden po shpenzon 25 milionë dollarë për të komunikuar përmes reklamave me votuesit hispanikë dhe afrikano-amerikanë në shtetet fushëbetejë./VOA
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...