Kandidati demokrat Joe Biden vazhdon të rrisë avantazhin e lehtë që fitoi në orët e para të së premtes përballë Presidentit republikan Donald Trump në shtetet Xhorxhia dhe Pensilvani, ku vazhdonte numërimi. Megjithëse rezultatet vazhdojnë të jenë shumë të afërta për t’u shpallur, zoti Biden gjendet në pozita të forta për të fituar zgjedhjet presidenciale amerikane.
Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se “zgjedhjet nuk kanë mbaruar”. Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.
Zoti Biden aktualisht udhëheq me shumicën e votës popullore, si dhe me 253 vota elektorale përkundër 214 votave për Presidentin Trump në Kolegjin Elektoral, ku duhen të paktën 270 vota për të pretenduar fitoren për një mandat presidencial katër vjeçar. Pas numërimit që vazhdon, zoti Biden kryesonte në Pensilvani me 15’044 vota (me 98% të votave të numëruara), në Xhorxhia me 4’155 vota (me 99% të votave të numëruara), në Arizona me 39’424 vota (me 90% të votave të numëruara), si dhe në Nevada me 20’137 vota (me 87% të votave të numëruara).
Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet – me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska – merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë./VoA
Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes në Kat...
Nasim Haradinaj tregon daljen e parë para gjyqtarit: Kostumi...
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...