Shtetet e Bashkuara po bëjnë trysni të shtuar për lirimin e gazetarit Evan Gershkovich, i cili u shpall fajtor për spiunazh dhe u dënua me 16 vjet në një burg të sigurisë së lartë në Rusi, tha të premten Presidenti Joe Biden.
“Nuk ka dyshim se Rusia e ka ndaluar padrejtësisht Evan-in. Gazetaria nuk është krim,” tha Presidenti Biden përmes një deklarate.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se ka shqetësime serioze për dënimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich me 16 vjet burg në Rusi.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre thelbësore profesionale në një mjedis të sigurt, pa frikë nga hakmarrja, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Rusisë për të drejtat e njeriut”, thuhet në një deklaratë.
“Bëjmë thirrje për lirimin e të gjithë gazetarëve në Rusi, të arrestuar vetëm për kryerjen e detyrave të tyre”, tha Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha muajin e kaluar se gazetari akuzohet për “mbledhjen e informacioneve sekrete” me urdhër të CIA-s. Sipas akuzës, zoti Gershkovich po mblidhte informacion rreth Uralvagonzavod-it, një impiant rreth 150 kilometra në veri të Jakterinburgut që prodhon dhe riparon tanke dhe pajisje të tjera ushtarake.
Gazetari 32 vjeçar Gershkovich, gazeta “The Wall Street Journal” dhe qeveria amerikane kanë thënë se akuzat kundër tij janë të rreme. Ai u arrestua në mars të vitit të kaluar në qytetin e Yekaterinburg, pranë maleve Urale.
Rusia ka sinjalizuar mundësinë e një shkëmbimi të burgosurish që përfshin gazetarin Gershkovich. Por edhe nëse merret një vendim i tillë, për të shkëmbyer të burgosurit, mund të duhen muaj apo vite.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha të mërkurën në Kombet e Bashkuara se “shërbimet speciale” të Moskës dhe Uashingtonit po diskutojnë një shkëmbim të burgosurish që përfshin edhe zotin Gershkovich.
Gazetari i “The Wall Street Journal” është bir emigrantësh rusë nga ish Bashkimi Sovjetik. Ai është gazetari i parë amerikan që është arrestuar dhe u gjykua nën akuzën për spiunazh në periudhën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Departamenti i Shtetit e ka shpallur atë person ‘të arrestuar padrejtësisht’, një vendim që e detyron qeverinë amerikane të kërkojë më ngulm lirimin e tij.
Një tjetër gazetare amerikane, Alsu Kurmasheva mbahet në burg prej tetë muajsh për shkak se nuk u regjistrua si agjente e huaj. Gazetarja që ka edhe nënshtetësi ruse, e Radios Evropa e Lirë, që ashtu si Zëri i Amerikës, është pjesë e Agjencisë Amerikane për Median Globale, mohon të ketë bërë ndonjë shkelje.
Arrestimet e amerikanëve në Rusi janë gjithnjë e më të shpeshta. Nëntë shtetas amerikanë deri më tani dihet se mbahen atje pasi tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar për shkak të luftës në Ukrainë./VOA
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...