Google ADS

Biden, Trump premtojnë një tranzicion të rregullt të pushtetit në janar

08:54 | 14 Nëntor 2024
R J

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u rikthye triumfalisht në Uashington të mërkurën, duke u zotuar për një tranzicion të rregullt të pushtetit në janar, ndërsa u takua për dy orë në Shtëpinë e Bardhë me rivalin e tij politik për një kohë të gjatë, Presidentin Joe Biden.

“Ishte një takim me përmbajtje”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre. “Ata diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe politikës së brendshme me të cilat përballet vendi dhe bota”.

Presidenti Biden e ftoi zotin Trump për vizitën tradicionale, një dëshmi për transferimin paqësor të pushtetit në demokracinë amerikane mes Presidentit në detyrë dhe udhëheqësit të ri.

Kjo ishte vizita e parë e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë që nga mbarimi i mandatit të tij të parë presidencial në janar të 2021. Zoti Biden dhe zoti Trump u ulën para oxhakut në Zyrën Ovale përpara se të nisnin bisedën private.

“Synimi ynë është të kemi një tranzicion të qetë, do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju siguruar çfarëdo që ju nevojitet”, tha Presidenti Biden duke i uruar mirëseardhjen zotit Presidentit të zgjedhur Trump.

“Faleminderit shumë”, tha zoti Trump. “Politika është e vështirë dhe shpesh bota nuk është shumë e bukur, por sot është një botë e bukur dhe unë e vlerësoj shumë një tranzicion të qetë. Do të jetë shumë i rregullt dhe e vlerësoj shumë një gjë të tillë Joe”, tha zoti Trump, i cili merr detyrën më 20 janar.

Gazetarët u përpoqën të bëjnë pyetje, por u nxorën me shpejtësi nga salla, përpara se zoti Biden dhe zoti Trump të vazhdonin takimin pa praninë e tyre.

Takimi ishte në një kontrast të thellë me marrëdhënien e tensionuar që kanë pasur ndër vite dy udhëheqësit.

Ekipet e tyre kanë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës, tek ato që lidhen me Rusinë deri tek tregtia.

Zoti Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar zotin Trump si kërcënim për demokracinë, ndërsa zoti Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar zotin Biden si të paaftë.

Presidenti i zgjedhur Trump ka bërë pohime të pa bazuara në fakte për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Pritja e presidentit të ardhshëm të vendit në Zyrën Ovale nga presidenti aktual, është në traditën politike të Shteteve të Bashkuara, por zoti Trump e anashkaloi këtë traditë në vitin 2020, kur ai humbi garën për t’u rizgjedhur.

“Ai beson tek normat dhe institucionet tona, ai beson tek transferimi paqësor i pushtetit”, u tha gazetarëve të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, në lidhje me vendimin e Presidentit Biden për të ftuar për takim zotin Trump. “Kështu duhet të ndodhë”, shtoi ajo.

Zonja e Parë Jill Biden iu bashkua bashkëshortit të saj për të përshëndetur Presidentin e zgjedhur pas mbërritjes së tij në Shtëpinë e Bardhë. Shtëpia e Bardhë tha se ajo i dha zotit Trump një letër urimi të shkruar me dorë për bashkëshorten e tij, Melania dhe shprehu gatishmërinë e ekipit të saj për të ndihmuar me tranzicionin.

Ish-Zonja e parë, e cila jetoi në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2017 deri në vitin 2021 gjatë mandatit të parë të bashkëshortit të saj, nuk e shoqëroi atë në Uashington dhe nuk është shprehur nëse ka në plan të transferohet sërish në Shtëpinë e Bardhë kur ai të marrë detyrën.

Demokrati Biden synonte të mposhtte republikanin Trump për herë të dytë në zgjedhjet e 5 nëntorit, por ai u tërhoq nga gara në korrik pas paraqitjes së dobët në debatin kundër zotit Trump. Presidenti Biden mbështeti me shpejtësi Nënpresidenten Kamala Harris për ta pasuar atë, por ish-Presidenti Trump arriti të fitonte në 7 shtetet kyçe të garës presidenciale dhe e mposhti atë lehtësisht.

Kur zoti Biden mposhti zotin Trump në vitin 2020, zoti Trump nuk dërgoi ftesë nga Shtëpia e Bardhë për ta takuar atë përpara inaugurimit dhe u largua nga Uashingtoni dy orë para betimit të Presidentit Biden.

Zoti Biden ka deklaruar se ka në plan të jetë i pranishëm gjatë inaugurimit të Presidentit Trump.

Zoti Biden synonte ta përdorte takimin për të treguar vazhdimësi, por tranzicioni nga një administratë tek tjetra është pjesërisht i bllokuar.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, ekipi i zotit Trump, nuk ka nënshkruar ende marrëveshjen që do t’i mundësonte njerëzve të administratës së tij të ardhshme, qasje tek objektet dhe informacionet qeveritare.

“Avokatët e ekipit të tranzicionit Trump-Vance po vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me avokatët e administratës Biden-Harris në lidhje me të gjitha marrëveshjet e parashikuara nga Akti i Tranzicionit Presidencial”, tha Brian Vance, një zëdhënës për tranzicionin i zotit Trump, duke iu referuar ligjit që rregullon transferimin e pushtetit.

Valerie Smith Boyd, drejtoreshë e Qendrës së Partneritetit për Tranzicionin Presidencial, një organizatë jofitimprurëse që këshillon administratat e ardhshme, tha se marrëveshja nënvizon se Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president deri më 20 janar, si dhe përfshin nënshkrimin e rregullave etike për të mos përfituar nga informacioni i vënë në dispozicion gjatë periudhës së tranzicionit./VOA/

Të ngjashme