Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha të enjten se nuk pret të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gazë në një të ardhme të afërt, pasi një propozim i mbështetur nga SHBA-ja dhe të tjerët nuk është pranuar plotësisht nga Izraeli apo Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Biden tha se për armëpushimin, liderët ndërkombëtarë kanë diskutuar në samitin e G7-ës në Itali, por kur u pyet nga gazetarët nëse një marrëveshje armëpushimi do të arrihet së shpejti, ai u përgjigj thjesht “jo”.
“Unë nuk e kam humbur shpresën”, shtoi ai.
Më herët të enjten, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, hodhi poshtë pretendimet se Izraeli nuk është plotësisht i përkushtuar ndaj planit të armëpushimit.
“Izraeli e ka dhënë këtë propozim. Ka kohë që është ulur në tavolinë. Izraeli nuk e ka kundërshtuar dhe nuk e ka kthyer atë prapa”, tha Sullivan.
Hamasi i është përgjigjur planit me kërkesa për ndryshime dhe Sullivan tha se qëllimi është “të kuptojmë se si të punojmë për të kapërcyer boshllëqet e mbetura dhe për të arritur një marrëveshje”.
Hamasi thotë se ndryshimet e kërkuara synojnë të garantojnë një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza. Propozimi i armëpushimit i shpallur nga Biden, i përfshin këto dispozita.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën një rezolutë për ta mbështetur propozimin e Shteteve të Bashkuara, me 14 vota për dhe asnjë kundër. Rusia abstenoi.
Propozimi i presidentit amerikan, Joe Biden përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara“ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.
Në fazën e dytë, do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.
Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.
Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli./REL/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...