Amerikania Judith Weinstein, e cila besohej se ishte rrëmbyer nga Hamasi, u vra nga grupi islamik palestinez më 7 tetor kur ky grup sulmoi Izraelin, tha të enjten presidenti amerikan Joe Biden, duke shtuar se ishte i shkatërruar nga lajmi.
Weinstein ishte 70 vjeç. Bashkëshorti i saj, Gadi Haggai, 73 vjeç, u vra në të njëjtën ditë, tha Biden javën e kaluar.
Biden u zotua të vazhdojë të luftojë për lirimin e pengjeve të tjera që mbahen nga Hamasi-grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Biden tha se nuk do ta harronte kurrë atë që i tha vajza e çiftit dhe familjarët e amerikanëve të tjerë të mbajtur peng në Gaza, kur u takua me ta këtë muaj.
“Ata kanë jetuar në ferr për javë të tëra. Asnjë familje nuk duhet të durojë një përvojë të tillë të hidhur. Dhe unë rikonfirmoj zotimin që u kemi bërë të gjitha familjeve të atyre që ende mbahen peng: ne nuk do të ndalojmë së punuari për t’i sjellë ata në shtëpi”, tha Biden.
Sipas zyrtarëve të administratës, Biden dhe këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, kanë qenë thellësisht të angazhuar në çështjen e pengjeve. Biden ka folur shumë herë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe emirin e Katarit për të siguruar lirimin e tyre.
Lufta në Gazë ka shpërthyer pasi Hamasi ka vrarë 1.200 njerëz dhe i ka marrë 240 pengje në sulmet në jug të Izraelit, më 7 tetor – njëherësh sulmi më i rëndë në historinë e shtetit.
Nga pengjet, 110 u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër në fund të nëntorit dhe 23 të tjerë të cilët nuk janë gjetur nga autoritetet janë shpallur të vdekur, tha të enjten një zëdhënës i qeverisë izraelite.
Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura tha se pesë deri në dhjetë nga pengjet kanë nënshtetësi amerikane.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 21.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 55.000 janë plagosur si pasojë e ofensivës izraelite./rel
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...