Biden thirrje demokratëve të bashkohen, beson tek fitorja në zgjedhje

10:34 | 20 Korrik 2024
K.B

Presidenti Joe Biden bëri thirrje të premten për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizioni i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-Presidentit Donald Trump.

Komentet e zotit Biden vijnë përballë trysnisë së demokratëve në nivelet më të larta, që po kërkojnë nga ai të largohet nga gara presidenciale dhe të hapë rrugë për emërimin e një kandidati të ri, shkruan VOA.

Ndërsa më shumë ligjvënës dhe senatorë demokratë iu bashkuan zërave kundërshtarë të premten, ka arritur në rreth 36 numri i të zgjedhurve demokratë në Kongres që duan që zoti Biden të tërhiqet pas paraqitjes së dobët në debatin me zotin Trump.

Gjatë orëve të vona të së premtes, senatori demokrat nga Ohajo, Sherrod Brown iu bashkua thirrjeve për tërheqjen e presidentit Biden nga kandidimi.

Senatori Brown u shpreh në një deklaratë se ai është dakort me shumë banorë të Ohajos që e kanë kontaktuar. “Mendoj se presidenti duhet t’i japë fund fushatës së tij elektorale”, tha senatori demokrat që përballet këtë vit me një kandidim të vështirë për rizgjedhjen e tij.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme