Biden: Sulmet kibernetike mund të çojnë në luftë

12:56 | 28 Korrik 2021
Arbresh.info

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se sulmet e mëdha kibernetike në SHBA mund të çojnë në luftë të vërtetë.

Biden mbajti një fjalim para komitetit të inteligjencës.

“…nëse përfundojmë në luftë – luftë të vërtetë, me të shtëna, me një fuqi të madhe – ajo do të jetë pasojë e një shkeljeje kibernetike me pasoja të mëdha”, tha Biden.

Ai vuri në dukje një numër në rritje të sulmeve kibernetike kundër agjencive qeveritare dhe industrisë private në SHBA.

Zyrtarët amerikanë i kanë lidhur këto sulme me Rusinë dhe Kinën.

Disa prej tyre kanë ndodhur në gjashtë muajt e parë të presidencës Biden.

Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.

Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ndërsa në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.

Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar.

Biden është zotuar se “do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm” për të ndaluar sulmet kibernetike nga Rusia, ka thënë Shtëpia e Bardhë. /REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme