Presidenti Joe Biden e ka lidhur miratimin e planit të tij për modernizimin e infrastrukturës me strategjinë për të adresuar mungesën kritike të gjysëm përçuesve.
“Çipet si ky që kam në dorë janë kritike për bateritë, për lidhjen me internet, të gjitha janë pjesë e infrastrukturës,” tha zoti Biden të hënën në Shtëpinë e Bardhë gjatë një takimi virtual me drejtues të disa prej kompanive kryesore amerikane në sektorin teknologjik që po vuan pasojat e mungesës së gjysëm-përçuesve.
Synimi i takimit, sipas presidentit ishte “diskutimi i mënyrave për të forcuar rrjetin amerikan të furnizimit me gjysmë-përçues”.
Mungesa e gjysmë-përçuesve ka dëmtuar industrinë e automjeteve, duke detyruar mbylljen e disa objekteve ose ngadalësimin e procesit prodhues.
Takimi u drejtua nga këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivam drejtori i Këshillit Kombëtar të Ekonomistëve, Brian Deese dhe Sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo.
Ndër drejtuesit e kompanive amerikane ishin shefat e firmave Alphabet/Google, Northrup Grumman, General Motors e Ford, si dhe Intel dhe Taiwan Semiconductor Manufacturing, dy emra të fuqishëm në sektorin e gjysmë-përçuesve.
Si rezultat i pandemicë, prodhuesit e automjeteve u detyruan të anulojnë kontratat për prodhimin e çipeve. Si rrjedhojë, kur deshën të rifillojnë prodhimin nuk kishin sasi të mjaftueshme.
Situata, sipas analistëve, është thjesht e përkohëshme.
Shtëpia e Bardhë në planin e saj për modernizimin e infrastrukturës u ka kërkuar ligjvënësve të miratojnë 50 miliardë dollarë për zyrën e Departamentit të Tregtisë për të mbështetur prodhimin e artikujve kritikë si dhe 50 miliardë të tjera për të fuqizuar prodhimin dhe kërkimet shkencore për gjysmë-përçuesit.
Problemi afat-shkurtër i mungesës së gjysmë-përçuesve për industrinë e automjeteve nuk duhet të ngatërrohet me “problemin më të madh, ekzistecial që kanë SHBA pasi nuk prodhojnë vetë sasi të mjaftueshme çipesh në vend,” tha analistja Roslyn Layton.
SHBA duhet të synojë të prodhojë në vend të paktën 50% të gjysmë-përçuesve në kategoritë kryesore, tha zonja Layton, duke shpjeguar se duhet të ketë kontroll më të vëmendshëm të kompanive amerikane që u shesin pajisje për prodhimin e gjysmë-përçuesve kompanive kineze që kanë lidhje me ushtrinë kineze. Kjo përbën “shkelje të ligjit amerikan dhe ndërkombëtar” tha ajo.
Shtetet e Bashkuara “kanë përshpejtuar rënien në sektorin e prodhimit industrial dhe atë të teknologjisë së avancuar duke mos ushtruar me rigorozitet kufizimet mbi eksportet”.
Gjatë takimit, Presidenti Biden u tha drejtuesve të kompanive se kishte marrë të hënën një letër nga një grup dypartiak senatorësh dhe ligjvënësish në mbështetje të programit “Çipe për Amerikën”.
Letra, tha presidenti, nënvizon se partia komuniste e Kinës “ka plane agresive për të dominuar sektorin e gjysmë-përçuesve”. Amerika nuk duhet të presë më, tha presidenti./voa/
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Çfarë thonë exit poll-et e para?
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...