Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Izraeli do të jetë i gatshëm ta ndalë luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – gjatë Muajit të Ramazanit, nëse arrihet një marrëveshje për lirimin e disa pengjeve që mbahen nga radikalët palestinezë.
Negociatorët nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari po punojnë për kornizën e një marrëveshjeje sipas së cilës Hamasi do të lironte dhjetëra pengje që mban, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe ndaljen e luftimeve për gjashtë javë. Gjatë kësaj pauze të përkohshme, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura.
Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me deklaratat e Bidenit.
Ramazani nis më 10 mars dhe shihet si një afat jozyrtar për një marrëveshje armëpushimi. Në këtë muaj, besimtarët myslimanë në mbarë botën agjërojnë nga agimi deri në muzg.
Biden tha se shpreson që një marrëveshje armëpushimi do të hynte në fuqi javën e ardhshme. Gjatë pauzës, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura dhe lirimin e më shumë të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.
“Ramazani po vjen dhe duhet të ketë një marrëveshje nga izraelitët që po ashtu të mos përfshihen në aktivitete gjatë Ramazanit, në mënyrë që të na japin ne kohë për të liruar të gjitha pengjet”, tha Biden gjatë një paraqitjeje në emisionin Late Night With Seth Meyers në NBC.
Në të njëjtën kohë, Biden nuk bëri thirrje për ndaljen e luftës që u nxit nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.
Ai e la mundësinë e hapur për një ofensivë tokësore izraelite në Rafah, në jug të Gazës, qytezë që gjendet në kufi me Egjiptin, ku gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës është strehuar në bazë të urdhrave për evakuim të lëshuar nga Izraeli.
Mundësia e një pushtimi në Rafah ka ngritur alarmin në botë lidhur me fatin e civilëve që janë të ngujuar atje. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu , ka deklaruar se operacioni tokësor në Rafah është një komponent i paevitueshëm i strategjisë së Izraelit për të shtypur Hamasin.
Biden tha të hënën se ai beson se Izraeli ka ngadalësuar bombardimet e tij në Rafah.
“Ata duhet dhe më janë zotuar se do të kujdesen që të ketë një aftësi për të evakuuar një pjesë të konsiderueshme të Rafahut para se të shkojnë për të shkatërruar pjesën e mbetur të Hamasit… por, është një proces”, tha ai.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Rripin e Gazës është shkaktuar një katastrofë humanitare dhe janë vrarë afër 30.000 palestinezë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi. Ministria e Shëndetësisë në Gazë nuk bën dallimin mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve të Hamasit.
Izraeli, ndërkaq, ka thënë se ka vrarë 10.000 luftëtarë të Hamasit, por nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim./rel
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...