Konflikti në Ukrainë ka krijuar probleme tek rrjeti i furnizimeve ushqimore dhe ka ngritur çmimet në mbarë botën, tha të mërkurën Presidenti Joe Biden gjatë një vizite në një fermë në shtetin Illinois. Presidenti njoftoi se qeveria do të ndërmarrë veprime për të ndihmuar bujqësinë amerikane. Analistët thonë se dëmet në bujqësi, të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë, mund të krijojnë probleme afatgjata në shkallë botërore, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta.
Shteti i Illinoit është përtej oqeanit nga Ukraina por efektet e agresionit rus kanë mbërritur deri në Shtetet e Bashkuara.
Agresioni 11-javor rus në Ukrainë ka vënë në rrezik burimet globale të drithrave, vajit të gatimit dhe plehrave kimike. Çmimet botërore të ushqimeve janë rritur gati 13% që nga fillimi i luftës, thotë Shtëpia e Bardhë.
Gjatë një vizite në një fermë të mërkurën, Presidenti Biden tha se po bën gjithçka për të ndihmuar fermerët amerikanë të përballojnë situatën, për të cilën fajëson udhëheqësin rus Vladimir Putin.
“Ju jeni shtylla kryesore e vendit tonë. Por ju gjithashtu ushqeni botën. Dhe siç shihet nga lufta e Putinit në Ukrainë, ju jeni shtylla kryesore e lirisë”, u tha fermerëve Presidenti Biden
Zoti Biden njoftoi një seri veprimesh në ndihmë të bujqësisë amerikane në mënyrë që të arrihen dy korrje në vit, teknologji që kërkon më pak pleh kimik dhe dyfishimin e financimeve në 500 milion dollarë për prodhimin e plehrave kimike në vend.
Presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Werner Hoyer, dha alarmin këtë javë duke thënë se sasi marramendëse gruri janë bllokuar në Ukrainë si rezultat i luftës.
“Ukraina është hambari i Evropës, dhe aktualisht ka 8.5 miliardë dollarë rezerva drithërash nga korrjet e vitit të kaluar. Ata nuk mund ta eksportojnë grurin sepse u është bllokuar dalja në det. Është një çështje kryesore që duhet adresuar. Ata po mbjellin tokat e tyre dhe brenda disa muajsh mund të kenë korrje të mira, ndoshta 70% të korrjeve të një viti më parë, dhe çfarë do të bëjnë me to?”, shtroi pyetjen zoti Hoyer.
Efektet janë përhapur tashmë. Muajin e kaluar, protestat e fermerëve në Sri Lanka kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburantit çuan në dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë.
Kriza ka gjasa të godasë më rëndë në pjesë të botës ku burimet tashmë po pakësohen, thonë për Zërin e Amerikës analisti Desmond Lachman.
“Është një kthim mbrapa për ekonominë globale. Vendet që varen kryesisht nga importi i ushqimeve dhe energjisë do të ndikohen më shumë. Edhe në rrafshin politik do të jetë shumë e vështirë për ato vende.”
Historia tregon se drithrat kanë një ndikim të madh në zhvillimet e vendeve. Në Francën e vitit 1788, kur çmimi i bukës u rrit, fshatarët u revoltuan, duke kërkuar qeverisje të bazuar në parimet e lirisë dhe barazisë. Një vit më pas vendi u përfshi në revolucion./VoA/
Parashikimi i motit për sot
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit