Biden nuk do ta shtyjë afatin e tërheqjes nga Afganistani

19:23 | 24 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka vendosur të mos e zgjasë afatin për të përfunduar evakuimin e amerikanëve dhe aleatëve afganë nga Afganistani, tha një zyrtar i administratës të martën, raporton agjencia Associated Press.

Te i njëjti informacion, duke u thirrur në burime të veta, ka arritur edhe agjencia Reuters.
Sipas AP, presidenti Biden e mori vendimin pas konsultimit me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Duke llogaritur rreziqet e mbajtjes së forcave në terren përtej afatit, ai vendosi të përfundojë misionin të martën e ardhshme, thanë burimet.

Këtë afat ai e kishte vendosur muaj më parë, kur kishte filluar tërheqja e trupave të huaja nga Afganistani.

Megjithatë, sipas AP-së, Biden i kërkoi ekipit të tij të sigurisë kombëtare që të krijojë plane emergjente në rast se krijohet një situatë që kërkon shtyrjen e afatit për pak, tha zyrtari.

Aleatët evropianë të SHBA-së, ligjvënësit amerikanë dhe organizatat e refugjatëve po i kërkojnë Bidenit të vazhdojë evakuimet për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Evakuimi i shtetasve te huaj dhe afganëve që kanë punuar me forcat e huaja ka hasur në vështirësi pasi në Aeroportin e Kabulit është shkaktuar kaos nga mijëra afganë që kanë tentuar të ikin nga vendi. Talibanët kanë vënë kontrolle jashtë aeroportit.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid tha të martën, më 24 gusht, se talibanët nuk do të lejojnë më që shtetasit afganë të shkojnë në aeroportin e Kabulit, për shkak të situatës kaotike në aeroport.

Gjatë një konference për media, ai tha se njerëzit e mbledhur në aeroport duhet të shkojnë në shtëpi, duke shtuar se siguria e tyre do të garantohet.

Por, Mujahid tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë që të ftojnë njerëzit në aeroport, në mënyrë që të evakuohen me aeroplanë.

“Ne kërkojmë nga amerikanët”, tha ai “që të mos inkurajojnë afganët që të largohen… ne na duhet talenti i tyre”.
Po ashtu, Mujahid tha se nuk mendon se afati për evakuimin nga Kabuli do të shtyhet.
Shtëpia e Bardhë ka thënë më 24 gusht se rreth 21.600 njerëz u larguan nga Afganistani në periudhën 24-orëshe, krahasuar me rreth 16,000 një ditë më parë.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se ushtrisë do t’i duhen “të paktën disa ditë” për të tërhequr plotësisht disa mijëra trupat e saj dhe pajisjet e tyre nga Kabuli. Ai tha se komandantët ende po synojnë të largohen deri më 31 gusht.
Afganët tentojnë të hyjnë në aeroportin e Kabulit, me qëllim që të largohen nga Afganistani. 23 gusht 2021.

Sipas tij, ka kohë të mjaftueshme për të nxjerrë të gjithë amerikanët nga ai vend, por sa i takon afganëve që janë në rrezik ai ishte më pak specifik.

“Ne besojmë se kemi aftësinë për ta bërë atë deri në fund të muajit”, tha ai.

Mediat amerikane më 24 gusht raportuan se drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA, CIA, William Burns ishte takuar me udhëheqësin taliban, Abdul Ghani Baradar në Kabul për të diskutuar procesin e evakuimit.

Nëse konfirmohet, ky do të ishte takimi i nivelit më të lartë që kur grupi militant mori nën kontroll Kabulin.
Ndërkohë përmes një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas një takimi virtual urgjent më 24 gusht, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës, Gjermanisë,
Kanadasë dhe Japonisë – që e përbëjnë grupin G7 – bënë thirrje për “qetësi dhe përmbajtje për të garantuar sigurinë e afganëve dhe personelit ndërkombëtarë që janë nën rrezik”.

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit, pas vendimit të presidentit Biden për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kishin rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të po atij viti në Shtetet e Bashkuara./Rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme