Presidenti Joe Biden i konsideron zgjedhjet e vitit të ardhshëm si një betejë për “shpirtin” e vendit. Fushata e tij është përqendruar në çështjet si kërcënimi ndaj demokracisë, aborti dhe arritjet e tij ekonomike. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Anita Powell, politika dhe shumë çështje të tjera do të mbizotërojnë vitin e ardhshëm zgjedhor.
Ndërsa fushata për zgjedhjet po intensifikohet, Presidenti Joe Biden po përpiqet të bindë votuesit se jeta e tyre është përmirësuar gjatë mandatit të tij si rezulat i legjislacionit për krijimin e vendeve të punës, përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat e abortit, përmirësimi i masave të mbrojtjes nga sulmet me armë dhe punës së tij për të mbrojtur demokracinë.
Ai i është qasur të ashtuquajturave çështje të tavolinës së kuzhinës në mjedise metaforike të përshtatshme që e lejojnë të komunikojë disa mesazhe në të njëjtën kohë.
Për shembull, në një fjalim para ekipeve të shpëtimit në Filadelfia, vendlindja e Kushtetutës amerikane, ai tha se zjarrfikësit dikur i shpëtuan shtëpinë e tij nga djegia.
Gjatë një vizite në rrethin e një prej kritikëve të tij më të zëshëm republikanë, ai nënvizoi përpjekjet e tij për të hapur vende pune që janë miqësore ndaj mjedisit dhe klimës.
“Investimet historike që po shënojmë sot janë në distriktin e ligjvënëses Lauren Boebert. Ajo është një nga udhëheqëset e lëvizje ekstreme’Ta Bëjmë Amerikën sërish të Madhe’. Ajo, së bashku me kolegët e saj republikanë, votuan kundër ligjit që i hapi rrugën këtyre investimeve për krijimin e vendeve të punës”.
Nga posti i tij në Shtëpinë e Bardhë, ai duket i sigurt për shanset e tij për të mposhtur sërish rivalin e mundshëm republikan, ish Presidentin Donald Trump.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetareje mbi mundësitë e demokratëve të tjerë për ta mposhtur republikanin Donald Trump në zgjedhje përveç atij, Presidenti Biden tha:
“Ndoshta 50 prej tyre… Nuk jam i vetmi që mund ta mposht atë, por unë do ta mposht.”
Për shumë votues amerikanë zgjedhjet janë një çështje numrash. Anketuesit thonë se shumica e tyre janë të shqetësuar për ekonominë, por një numër i madh i tyre përmendin një numër, që administrata e Biden nuk mund ta ndryshojë, atë të moshës së tij.
Në natën e zgjedhjeve, zoti Biden do të jetë 81 vjeç, rreth katër vjetë më i madh se zoti Trump dhe pesë vjet më i vjetër se njeriu më i moshuar që ka mbajtur postin e Presidentit amerikan, Ronald Reagan.
Anketuesit demokratë thonë se këto shqetësime po rëndojnë zotin Biden, së bashku me sondazhet që e nxjerrin në epërsi zotin Trump në shtetet përcaktuese.
“Votuesit nuk janë të kënaqur me moshën e asnjërit prej kandidatëve tanë. Mendoj se faktori i moshës është pjesë e pakënaqësisë më të gjerë nga një përballje tjetër Biden-Trump”, thotë Evan Roth Smith nga kompania e sondazheve “Blueprint”.
Ish Presidenti Trump, i cili po përballet me një sërë akuzash kriminale, e ka bërë fushatën një çështje dytësore mes paraqitjeve të tij të shumta në gjykatë.
“Ai po luan me një ndjenjë nostalgjie, se kur Donald Trump ishte president, dhe kjo është ajo që ai do të thoshte, çmimet ishin më të ulëta, Lindja e Mesme nuk ishte në luftë, Ukraina nuk po sulmohej nga Rusia, Kina ishte më pak agresive, e kështu me radhë”, thotë Evan Roth Smith nga kompania e sondazheve “Blueprint”.
Së fundmi, edhe Presidenti Biden ka përfshirë pak më shumë kritika ndaj zoti Trump në fushatën e tij, duke thënë se ai do të mund të bëhej një “diktator”. Shtëpia e Bardhë i tha Zërit të Amerikës se komentet e kësaj natyre janë “të gabuara”.
Në një paraqitje televizive në Fox News, zoti Trump pati këtë shkëmbim me gazetarin Sean Hannity.
Sean Hannity: “Ju po i premtoni Amerikës sonte se nuk do të abuzoni kurrë me pushtetin për të ndëshkuar të tjerët?”
Donald Trump: “Përveç ditës së parë. Përveç ditës së parë.”
Sean Hannity: “Çfarë do të thotë kjo?”
Trump: “Unë dua të mbyll kufirin dhe dua të lejojë shpimet për naftë.”
Ky dallim i fortë mes zotit Trump dhe zotit Biden po nxirret në pah edhe nga kandiatët e tjerë republikanë që po sfidojnë ish Presidentin Trump përpara zgjedhjeve nëntorit.
Një gjë është e qartë, nëse njëri prej tyre fiton, votuesit amerikanë do ta dinë saktësisht se çfarë lloj presidenti do të kenë./REL.
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion