Presidenti Joe Biden paralajmëroi republikanët të martën se do t’i bënin Rusisë një “dhuratë Krishtlindjesh” nëse nuk do të miratonin ndihmën ushtarake shtesë për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Zoti Zelenskyy udhëtoi në Uashington për të kërkuar fonde për të mbështetur Ukrainën në luftën me Rusinë, por ai u përball me një pritje skeptike nga ligjvënësit kryesorë republikanë.
Ai tha të martën se vendi i tij po luftonte për “lirinë tonë dhe tuajën” po megjithë diplomacinë e tij intensive në Uashington, ndihma shtesë për Ukrainën është në dyshim serioz.
Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nuk do ta mbështeste kërkesën e presidentit Biden për t’i dhënë Ukrainës 61.4 miliardë dollarë.
Ai tha pas takimit me Presidentin Zelenskyy se administrata e Presidentit Biden duhet të japë më shumë detaje se si do të përdoren fondet.
“Ajo që duket se administrata e Presidentit Biden po kërkon janë miliarda dollarë shtesë pa mbikëqyrjen e duhur, pa strategji të qartë për fitoren dhe pa asnjë përgjigje për ato që kërkon populli amerikan”, tha zoti Johnson.
Republikanë të tjerë hodhën dyshime nëse fondet shtesë do ta ndihmojnë Ukrainën të mposhtë Rusinë, pas një ofensive verore që nuk ka sjellë përfitime të qarta.
“Unë e di se të gjithë duan fitoren e Ukrainës, thjesht nuk po e shoh që kjo të ndodhë”, tha senatori republikan Ron Johnson.
Presidenti Biden, i cili u takua me zotin Zelenskyy më vonë në Shtëpinë e Bardhë, tha se as ai, as populli amerikan nuk do ta braktisnin Ukrainën por ai paralajmëroi ligjvënësit se ata rrezikonin t’i dhuronin një fitore presidentit rus Vladimir Putin nëse nuk e miratojnë kërkesën për ndihmë.
“Putini po shpreson që Shtetet e Bashkuara të mos ta mbështesin Ukrainën”, tha ai gjatë një konference shtypi me udhëheqësin ukrainas. “Ne duhet … të provojmë që ai e ka gabim.”
“Ne do të qëndrojmë përkrah jush”, tha presidenti Biden më herët në Zyrën Ovale në krah të homologut të tij Zelenskyy.
Ai shtoi se Kongresi duhej të miratonte paketën e ndihmës dhe të mos ” t’i jepnin Putinit dhuratën më të madhe të Krishtlindjes”, nëse nuk e miratonin atë.
Zoti Zelenskyy tha se Ukraina po bënte përparim dhe theksoi se suksesi i vendit të tij kundër Rusisë do të kishte ndikim edhe tek vendet e tjera evropiane.
“Falë suksesit të Ukrainës, suksesit në mbrojtjen e saj, vendet e tjera evropiane janë të sigurta nga agresioni rus,” tha ai.
Ai hodhi poshtë çdo thirrje për t’i dorëzuar territor ukrainas Rusisë.
“Si mundet Ukraina të heqë dorë nga territori i saj? Të them të drejtëm kjo do të ishte çmenduri… Ne kemi njerëzit tanë, kemi familje atje. Po flasim për qenie njerëzore.”
Disa republikanë, veçanërisht ata që kanë lidhje të ngushta me ish-Presidentin Donald Trump, kundërshtojnë ndihmat shtesë për Ukrainën dhe ngrenë pikëpyetje mbi qëllimet e luftës dhe mënyrën se si po shpenzohen fondet e SHBA-së. Ata e kanë kushtëzuar ndihmën për Ukrainën me ndryshimin e politikave amerikane të imigracionit – një çështje jashtëzakonisht e debatueshme në politikën amerikane.
“I vetmi njeri i lumtur për ngërçin në Kongres është Vladimir Putini. Ai është i lumtur për faktin që politikat kufitare të Donald Trumpit po sabotojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.
Në prag të dimrit, me dhjetëra mijëra ukrainas të vrarë dhe përparimin e forcave ruse në lindje të vendit, zoti Zelensky po përpiqet që të bëjë trysni ndaj ligjvënësve për tejkalimin e ngërçit.
Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit miratimin e një pakete prej 110 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin, si dhe përparësive të tjera të sigurisë kombëtare. Nëse do të miratohej, Ukraina do të merrte më shumë se 61 miliardë dollarë.
Kanë mbetur vetëm tre ditë para se Kongresi të ndërresë punën për festat e fundvitit. Republikanët në Senat e kanë kundërshtuar këtë projektligj, duke kërkuar ndryshime madhore për sigurinë e kufirit të Shteteve të Bashkuara.
Vizita e udhëheqësit ukrainas vjen një ditë pasi bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi një fond prej 900 milionë dollarësh për Ukrainën nga programi i huasë prej 15.6 miliardë dollarësh i vendit.
Të hënën Presidenti Zelenskyy u prit me duartrokitje në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington.
“E gjithë bota po na shikon, po sheh se çfarë fati mund të kenë vendet e tjera të lira, të jetojnë në liri apo të nënshtrohen. Ukraina nuk është dorëzuar dhe nuk do të heqë dorë. Ne dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ju mund të mbështeteni tek Ukraina dhe shpresojmë se ne mund të mbështetemi tek ju”, tha zoti Zelensky gjatë fjalimit që pati para oficerëve ushtarakë amerikanë.
“Lufta e Ukrainës për liri është një nga kauzat e mëdha të kohës sonë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë përkrah jush. Dhe mos u mashtroni të mendoni ndryshe, angazhimi i Amerikës për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus është i palëkundur”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Deri tani, SHBA i ka siguruar Ukrainës 111 miliardë dollarë për luftën e saj kundër agresionit rus. Moska tha se do të përcjellë “me shumë vëmendje” takimin midis Preisdenti Biden dhe atij ukrainas Zelenskyy.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha gjithashtu se “dhjetëra miliarda dollarë” të Uashingtonit për Kievin nuk kanë arritur të ndryshojnë rrjedhën e luftës dhe se ndihmat e mëtejshme në mënyrë të ngjashme do të dështojnë./voa
Peci: Në 2024 janë ndarë 89 milionë euro grante e subvencion...
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...