Presidenti i SHBA Joe Biden u dërgoi një letër udhëheqësve të komiteteve kryesore të Capitol Hill duke i informuar ata për qëllimin e tij për të filluar procesin zyrtar për shitjen e avionëve F-16 sapo Ankaraja të përfundojë procesin e pranimit të Suedisë në NATO.
Në letrën drejtuar anëtarëve më të lartë republikanë dhe demokratë të komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, Biden i kërkoi Kongresit të miratonte shitjen “pa vonesë”. Më herët Shtëpia e Bardhë u dërgoi një letër anëtarëve të Kongresit duke kërkuar miratimin e shitjes prej 20 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe kompleteve të modernizimit në Turqi.
“Presidenti Biden dhe sekretari amerikan Antony Blinken kanë qenë shumë të qartë për mbështetjen tonë për modernizimin e flotës me F-16 të Turqisë, të cilën ne e shohim si një investim kyç në ndërveprueshmërinë e NATO-s. Por përtej kësaj, unë nuk do të propozoj shitje ose transferime të mbrojtjes derisa ato të njoftohen zyrtarisht në Kongres”, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.
Senatori Chris Van Hollen, një demokrat në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, hodhi disa dyshime mbi një miratim të shpejtë, duke thënë se ligjvënësit kanë nevojë për garanci nga administrata Biden dhe Turqia së pari.
Parlamenti i Turqisë ratifikoi ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO të martën, pas 20 muajsh vonesë. Vonesa e Turqisë në miratimin e ratifikimit kishte qenë një pengesë e madhe për të fituar miratimin e Kongresit për marrëveshjen e avionëve luftarakë. Ligjvënësit kishin thënë se po prisnin miratimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO përfshirë nënshkrimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan përpara se të vendosnin nëse do ta miratonin shitjen.
Departamenti i Shtetit refuzoi të jepte një afat kohor të saktë mbi procesin zyrtar të njoftimit për shitjen e avionëve F-16. Turqia në tetor 2021 kërkoi të blinte avionë F-16 me vlerë 20 miliardë dollarë dhe gati 80 njësi me pajisje për modernizimin e avionëve të saj ekzistues luftarakë./Klan News
Real Madridi synon transferimin e mesfushorit të Liverpoolit
Rritje e lehtë e temperaturave, moti sot në Shqipëri
108 aksidente brenda një dite në Kosovë
Humb jetën një person në Viti, ishte duke pirë kafe në resto...
Vidhet një çantë me para në Graqanicë, policia po heton rast...
Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, arrestohet një person