Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është intervistuar si pjesë e hetimit ndaj tij për mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara pasi ishte larguar nga posti i zëvendëspresidentit në vitin 2017, njoftoi Shtëpia e Bardhë të hënën vonë.
Presidenti demokrat u intervistua vullnetarisht dhe intervista zgjati mbi dy ditë, duke përfunduar të hënën, tha Ian Sams, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.
Biden u intervistua nga prokurori special, Robert Hur.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, e emëroi Hurin në janar si prokuror special për ta hetuar ruajtjen e papërshtatshme të dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e Bidenit në Delavere, si dhe në një zyre në Uashington e cila ishte themeluar për Bidenin pas kohës së kaluar si zëvendëspresident nga viti 2009 deri më 2017.
Prokurorë të tillë specialë që emërohen për t’i trajtuar rastet e ndjeshme – në të cilat zakonisht përfshihen figurat politike apo dyshimet për shkelje të rënda nga Qeveria – kanë më shumë pavarësi se hetuesit federalë për të vendosur se a të ngrehin aktakuzë apo jo.
Intervistimi i Bidenit nga Huri lë të kuptohet se hetimi, i cili ka shkuar qetësisht, mund të ketë arritur në fazën përfundimtare. Biden ka thënë se ishte habitur nga gjetja e dokumenteve të klasifikuara dhe se pret që zbulimi i tyre do të cilësohet si i parëndësishëm.
Ekipi i tij ka thënë se ka bashkëpunuar me hetuesit.
“Siç kemi thënë nga fillimi, presidenti dhe Shtëpia e Bardhë po bashkëpunojnë me hetuesit, dhe siç është dashur, ne kemi ofruar të dhëna relevante publikisht, duke qenë sa më transparent në përputhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e integritetit të hetimit”, tha Sams.
Ndërkohë, për mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara është duke u hetuar edhe rivali i mundshëm i Bidenit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ish-presidenti republikan Donald Trump.
Ndaj Trumpit është ngritur aktakuzë penale në këtë rast, e cila është vetëm njëra nga katër aktakuzat penale ndaj tij.
Trump, i cili i ka mohuar akuzat, do të dalë para gjyqit në maj në rastin e dokumenteve federale./rel
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...