Presidenti amerikan Joe Biden tha se i kishte sugjeruar Kryeministrit britanik Boris Johnson në një telefonatë të premten që vendet demokratike të krijojnë një plan infrastrukture si baraspeshë ndaj nismës kineze Rrugë e Unaza.
“I sugjerova se duhet të kemi një nismë, me pjesëmarrjen e shteteve demokratike, që të ndihmojmë komunitete në mbarë botën që kanë nevojë reale për ndihmë,” tha presidenti. Nisma e Kinës, Rrugë e Unaza, është një plan për zhvillime infrastrukturore me vlerë prej disa trilionë dollarësh i filluar në 2013 nga Presidenti Xi Jinping me nisma për zhvillim e investime nga Azia Lindore në Evropë.
Projekti kinez, në përfundim të tij do të zgjeronte ndjeshëm ndikimin politik e ekonomik të Pekinit, duke zgjuar shqetësime në Perëndim. Komentet e zotit Biden pasojnë deklaratat e tij të enjten se nuk do të lejojë që Kina t’ia kalojë Shteteve të Bashkuara si vendi më i fuqishëm në botë, duke u zotuar të investojë intensivisht që të garantojë se Amerika del me sukses në rivalitetin mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Presidenti amerikan ka në plan të prezantojë një nismë prej disa trilionë dollarësh për të modernizuar infrastrukturën amerikane. Ai tha të enjten se këto plane do të garantojnë shtimin e investimeve amerikane në teknologji të reja premtuese, si fizika kuantike, inteligjenca artificiale dhe bioteknologjia. Megjithëse ka shprehur shqetësime dhe po përpiqet të nxisë investime të sektorit privat në projekte globale që konkurrojnë me nismat e Kinës në infrastrukturë, Uashingtoni nuk ka arritur të bindë vende të tjera të refuzojnë propozimet kineze përmes nismës për Rrugë e Unaza.
Mbi 100 vende kanë nënshkruar kontrata me Kinën për të bashkëpunuar në projekte infrastrukture si linja hekurudhore, porte, rrugë dhe objekte të tjera. Sipas një indeksi nga firma e të dhënave ekonomike Refinitiv, deri në mes të vitit të kaluar, ishin identifikuar mbi 2,600 projekte me vlerë 3.7 trilionë dollarë që kishin lidhje me këtë plan kinez.
Por Kina thotë se rreth 20% e projekteve të saj “janë ndikuar seriozisht” nga pandemia. Projektet kineze janë kritikuar edhe nga disa vende që thonë se janë të kushtueshme dhe të panevojshme. Pekini ka reduktuar disa plane, pasi disa vende kërkuan rishikim, anulim apo reduktim në kontrata duke ngritur shqetësime për korrupsion, koston e lartë dhe dëmin ndaj sovranitetit.
Trumpit i duhen vetëm edhe 4 vota elektorale për të fituar p...
Përplasen automjetet në Vlorë, dy të lënduar
Zgjedhjet në SHBA/ Si votojnë astronautët nga hapësira?
Prishtina pret Dritën në ndeshjet e mbetur nga xhiro e dytë
Trump fiton Pensilvaninë
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri