Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, bëri thirrje të premten që Rusia ta lirojë gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili po mbahet i arrestuar shkaku i akuzave për spiunazh.
Tutje, Biden kundërshtoi kërkesën e bordit redaktues të gazetës amerikane për t’i dëbuar gazetarët rusë nga SHBA-ja.
I pyetur nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë se cili ishte mesazhi i tij për Rusinë në lidhje me Gershkovichin, i cili është shtetas amerikan, Biden tha: “Lëreni të shkojë”.
Në një artikull të botuar të enjten, bordi i redaktorëve i Wall Street Journal bëri thirrje për dëbimin e ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara dhe “të gjithë gazetarëve rusë që punojnë këtu”, duke e përshkruar këtë masë si “minimumi që pritet”.
“Koha e arrestimit duket si një provokim i llogaritur për ta vënë në siklet SHBA-në dhe për ta frikësuar shtypin e huaj që ende punon në Rusi”, thuhej tutje në artikullin e botuar.
Kryeredaktorja e gazetës, Emma Tucker, i dërgoi një letër stafit të gazetës të premten, duke thënë se “ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të siguruar lirimin e Evanit”.
“Siguria juaj është ajo që ka më shumë rëndësi për mua dhe ne do të vazhdojmë ta mbrojmë atë pavarësisht se nga ku mund të raportoni”, shtoi ajo.
Duke folur me gazetarët përpara se të nisej për të parë dëmet nga tornado në Misisipi, Biden tha se dëbimi i gazetarëve rusë “nuk ishte në plan tani”.
Gershkovich besohet të jetë gazetari i parë i huaj i arrestuar për spiunazh në Rusinë post-sovjetike dhe arrestimi i tij pritet ta përshkallëzojë konfrontimin e Kremlinit me Perëndimin shkaku i luftës në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur kërkesës së bordit redaktues që të gjithë gazetarët rusë të dëbohen, tha se “gazeta mund ta thotë këtë, por kjo nuk duhet të ndodhë. Thjesht nuk ka asnjë arsye për një gjë të tillë”.
Ai tha se Gershkovich ishte kapur “në flagrancë”.
Rasti “sekret”
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS, Gershkovich i ka mohuar akuzat që rëndojnë mbi të në një seancë gjyqësore në Moskë. Ai mbetet në paraburgim deri më 29 maj, në pritje të gjykimit.
Rasti është klasifikuar si “sekret”, siç raporton TASS, që do të thotë se informacionet që mund të publikohen në lidhje me këtë rast janë të kufizuara.
Të vetmet detaje që dihen publikisht janë se agjencia ruse e sigurisë njoftoi se e kishte “pamundësuar një aktivitet të paligjshëm” duke arrestuar Gershkovichin në Yekaterinburg, rreth 1.800 kilometra larg Moskës, në një datë të panjohur për publikun.
Arrestimi i gazetarit 31-vjeçar, i cili përballet me një dënim deri në 20 vjet burgim, është një përshkallëzim serioz i cenimit të mediave nga Kremlini.
Shtëpia e Bardhë e dënoi arrestimin e Gershkovichit dhe paralajmëroi amerikanët të mos udhëtonin në Rusi, ndërsa këshilloi ata që ndodhen atje që të largohen për shkaqe sigurie.
“Shënjestrimi i qytetarëve amerikanë nga qeveria ruse është i papranueshëm. Ne dënojmë ashpër arrestimit e zotit Gershkovich”, thuhej në një deklaratë të sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Zyrtarët amerikanë thanë se ishin në kontakt me familjen e Gershkovichit si dhe me gazetën dhe se Departamenti i Shtetit e kishte kontaktuar edhe Kremlinin.
Edhe një numër i qytetarëve të tjerë amerikanë janë në burg në Rusi, përfshirë këtu Paul Whelan, një ish-marins, i cili u arrestua në vitin 2018 dhe u dënua me 16 vjet burg për spiunazh – akuza që ai i mohon. /REL/
Trump do t’i ndëshkojë ‘rëndë’ policët që refuzojnë t’i dëbo...
Konflikti Izrael-Hezbollah/ Kryeministri i Libanit shpreson ...
Mbërrin droni i parë në shtëpi, ja për cilin banor është
Viktima e tretë e atentatit në Shkodër kishte raportuar në p...
Kurti: Është koha që Kosova ta marrë statusin e kandidatit t...
Atentat në Shqipëri, ndërron jetë në spital djali i ish-kand...